9. Por Manasi iu shmang Judës dhe banorët e Jeruzalemit duke i shtyrë të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit.
10. Zoti i foli Manasit dhe popullit të tij, por ata nuk ia vunë veshin.
11. Atëherë Zoti solli kundër tyre komandantët e ushtrisë së mbretit të Asirisë, që e zunë Manasin me çengela në hundë, e lidhën me zinxhirë prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.
12. Kur u gjend në hall, iu lut shumë Zotit, Perëndisë së tij, dhe u përul thellë përpara Perëndisë të etërve të tij.
13. Pastaj iu fal dhe iu lut shumë dhe Perëndia e dëgjoi lutjen e tij dhe e çoi përsëri në Jeruzalem, në mbretërinë e tij. Atëherë Manasi njohu që Zoti është Perëndia.
14. Pas kësaj, Manasi ndërtoi një mur jashtë qytetit të Davidit, në perëndim të Gihonit, në luginë, deri te porta e peshqve; muri i vinte përreth Ofelit, dhe e bëri shumë të lartë. Pastaj vendosi komandantë ushtarakë në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës.
15. Përveç kësaj hoqi nga shtëpia e Zotit perënditë e huaja dhe idhullin, së bashku me të gjithë altarët që kishte ndërtuar mbi malin e shtëpisë të Zotit dhe në Jeruzalem, dhe i hodhi jashtë qytetit.
16. Pastaj restauroi altarin e Zotit dhe mbi të ofroi flijime falënderimi dhe lëvdimi, si dhe urdhëroi Judën t'i shërbente Zotit, Perëndisë të Izraelit.
17. Megjithatë populli vazhdonte të ofronte flijime në vendet e larta, por vetëm Zotit, Perëndisë së tij.