15. Përveç kësaj hoqi nga shtëpia e Zotit perënditë e huaja dhe idhullin, së bashku me të gjithë altarët që kishte ndërtuar mbi malin e shtëpisë të Zotit dhe në Jeruzalem, dhe i hodhi jashtë qytetit.
16. Pastaj restauroi altarin e Zotit dhe mbi të ofroi flijime falënderimi dhe lëvdimi, si dhe urdhëroi Judën t'i shërbente Zotit, Perëndisë të Izraelit.
17. Megjithatë populli vazhdonte të ofronte flijime në vendet e larta, por vetëm Zotit, Perëndisë së tij.
18. Pjesa tjetër e bëmave të Manasit, lutja që i drejtoi Perëndisë së tij dhe fjalët e shikuesve që i folën në emër të Zotit, janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit.
19. Përkundrazi lutja e tij dhe mënyra si Perëndia e dëgjoi, tërë mëkatet e tij dhe tërë pabesitë e tij, vendet ku ndërtoi vendet e larta dhe ngriti Asherimët dhe shëmbëlltyrat e gdhendura, para se të përulej, janë të shkruara në librin e Hozait.
20. Pastaj Manasi pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në shtëpinë e tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni.
21. Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi dy vjet në Jeruzalem.
22. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishte bërë Manasi, ati i tij; në fakt Amoni u ofronte flijime tërë shëmbëlltyrave të gdhendura që kishte bërë i ati, Manasi, dhe u shërbente.
23. Ai nuk u përul përpara Zotit, siç ishte përulur Manasi, i ati; Amoni madje mëkatoi gjithnjë e më shumë.
24. Pastaj shërbëtorët e tij kurdisën një komplot kundër tij dhe e vranë në shtëpinë e tij.
25. Por populli i vendit i dënoi me vdekje tërë ata që kishin komplotuar kundër mbretit Amon; pas kësaj populli bëri mbret në vend të tij, të birin, Josia.