2 i Kronikave 32:8-14 Bibla Shqip (ALBB)

8. Me të është një krah prej mishi, por me ne është Zoti, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar në betejat tona". Populli u qetësua nga fjalët e Ezekias, mbretit të Judës.

9. Mbas kësaj Senakeribi, mbret i Asirisë, ndërsa ndodhej me të gjitha forcat e tij përballë Lakishit, dërgoi shërbëtorët e tij në Jeruzalem për t'i thënë Ezekias, mbretit të Judës, dhe të gjithë atyre të Judës që ndodheshin në Jeruzalem:

10. "Kështu flet Senakeribi, mbret i asirëve: Ku e mbështetni besimin që qëndroni të rrethuar në Jeruzalem?

11. A nuk po ju gënjen Ezekia me qëllim që të vdisni nga uria dhe nga etja, duke thënë: "Zoti, Perëndia ynë, do të na çlirojë nga duart e mbretit të Asirisë"?

12. A nuk i ka hequr vallë vetë Ezekia vendet e tij të larta dhe altarët e tij, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni përpara një altari të vetëm dhe mbi të do të ofroni temjan"?

13. A nuk e dini ju çfarë u kemi bërë unë dhe etërit e mi gjithë popujve të vendeve të tjera? A kanë qenë të aftë perënditë e kombeve të këtyre vendeve të çlirojnë në një farë mënyre vendet e tyre nga duart e mia?

14. Midis tërë perëndive të këtyre kombeve që etërit e mi kanë caktuar për shfarosje, kush, pra, ka mundur të çlirojë popullin e tij nga dora ime? Si do të mund t'ju çlirojë Perëndia juaj, pra, nga dora ime?

2 i Kronikave 32