19. Ata folën kundër Perëndisë të Jeruzalemit ashtu si kundër perëndive të popujve të tokës, që janë vepër e dorës së njeriut.
20. Por mbreti Ezekia dhe profeti Isaia, bir i Amotsit, u lutën me këtë rast dhe klithën në drejtim të qiellit.
21. Atëherë Zoti dërgoi një engjëll që shfarosi gjithë burrat e fortë dhe trima, princat dhe komandantët në kampin e mbretit të Asirisë. Ky u kthye në vendin e tij i mbuluar me turp; pastaj hyri në tempullin e perëndisë së tij, ku vetë bijtë e tij e vranë me shpatë.
22. Kështu Zoti shpëtoi Ezekian dhe banorët e Jeruzalemit nga dora e Senakeribit, mbretit të Asirisë, dhe nga dora e gjithë të tjerëve dhe i mbrojti rreth e qark.
23. Një numër i madh njerëzish i çuan oferta Zotit në Jeruzalem dhe sende të çmuara Ezekias, mbretit të Judës, i cili qysh atëherë u madhërua në sytë e tërë kombeve.
24. Në ato ditë Ezekia u sëmur për vdekje. Ai iu lut Zotit, që i foli dhe i dha një shenjë.
25. Por Ezekia nuk iu përgjigj mirësisë që iu bë atij, sepse zemra e tij ishte bërë krenare; prandaj mbi të, mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin ra zemërimi i Zotit.
26. Pastaj Ezekia u përul për krenarinë e zemrës së tij, ai dhe banorët e Jeruzalemit; prandaj zemërimi i Zotit nuk erdhi mbi ta gjatë jetës së Ezekias.
27. Ezekia pati pasuri shumë të mëdha dhe nder. Ai bëri depozita për argjendin, arin, gurët e çmuar, aromat, mburojat, dhe për çdo lloj objektesh të çmuara,
28. magazina për drithërat, verën e vajin, stalla për çdo lloj gjedhi dhe vathë për delet.
29. Veç këtyre ndërtoi qytete dhe pati një numër të madh kopesh dhe bagëtish të trasha, sepse Perëndia i kishte dhënë pasuri shumë të mëdha.