1. Salomoni filloi pastaj ndërtimin e shtëpisë të Zotit, në Jeruzalem mbi malin Moriah, aty ku Zoti i ishte shfaqur Davidit, atit të tij, në vendin që Davidi kishte përgatitur në lëmin e Ornanit, jebuseut.
2. Ai filloi të ndërtojë ditën e dytë të muajit të dytë të vitit të katërt të mbretërimit të tij.
3. Këto janë përmasat e themeleve që hodhi Salomoni për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë. Gjatësia ishte gjashtëdhjetë kubitë (në kubitë të masës së vjetër) dhe gjerësia njëzet kubitë.
4. Portiku përpara tempullit ishte njëzet kubitë i gjatë, duke barazuar kështu gjatësinë e tempullit, dhe ishte i lartë njëqind e njëzet kubitë. Ai e veshi nga brenda me ar të kulluar.
5. E veshi sallën e madhe me dru qiparisi, pastaj e veshi me ar të kulluar dhe mbi të gdhendi degë palme dhe zinxhirë të vegjël.
6. Përveç kësaj e zbukuroi sallën me gurë të çmuar si ornament; dhe ari ishte ai i Parvaimit.
7. Veshi gjithashtu me ar tempullin, trarët, pragjet, muret dhe portat; dhe mbi muret gdhendi kerubinë.
8. Pastaj ndërtoi vendin shumë të shenjtë. Ky ishte njëzet kubitë i gjatë, duke barazuar kështu gjerësinë e tempullit, dhe njëzet kubitë i gjerë. E veshi me ar të kulluar me një vlerë prej gjashtëqind talentash.
9. Pesha e arit për gozhdët ishte pesëdhjetë sikla. Veshi me ar edhe dhomat e sipërme.
10. Në vendin shumë të shenjtë bëri dy kerubinë të gdhendur dhe i veshi me ar.
11. hapësira e krahëve të kerubinëve ishte njëzet kubitë; një krah i një kerubini, i gjatë pesë kubitë, prekte murin e tempullit, ndërsa krahu tjetër, gjithashtu i gjatë pesë kubitë, prekte krahun e kerubinit të dytë.