21. Ata sollën shtatë dema, shtatë desh, shtatë qengja dhe shtatë cjep, si flijim për mëkatin për mbretërinë, për shenjtëroren dhe për Judën. Pastaj mbreti urdhëroi priftërinjtë, bijtë e Aaronit, t'i ofronin në altarin e Zotit.
22. Kështu therën demat, dhe priftërinjtë mblodhën gjakun e tyre dhe spërkatën altarin me të; në të njëjtën mënyrë therën deshtë dhe spërkatën gjakun e tyre mbi altar; pastaj therën qengjat dhe spërkatën me gjakun e tyre altarin.
23. Pastaj i paraqitën mbretit dhe asamblesë cjeptë e flijimit për mëkatin, dhe ata vunë mbi to duart e tyre.
24. Priftërinjtë i therën dhe ofruan gjakun e tyre mbi altar si flijim për mëkatin, si shlyerje e fajit për tërë Izraelin, sepse mbreti kishte urdhëruar të ofronin holokaustin dhe flijimin për mëkatin, për tërë Izraelin.
25. Mbreti vendosi gjithashtu levitët në shtëpinë e Zotit me cembale, me harpa dhe me qeste, sipas urdhrit të Davidit, të Gadit, shikuesi i mbretit, dhe të profetit Nathan, sepse urdhri ishte dhënë nga Zoti me anë të profetëve të tij.
26. Kështu levitët zunë vend me veglat e Davidit, dhe priftërinjtë me boritë.
27. Atëherë Ezekia urdhëroi që holokausti të ofrohej mbi altar; dhe në çastin që filloi holokausti, filloi gjithashtu kënga e Zotit me boritë dhe me shoqërimin e veglave të Davidit, mbretit të Izraelit.
28. Atëherë tërë asambleja u përul, ndërsa këngëtarët këndonin dhe borizanët u binin veglave të tyre; e tërë kjo vazhdoi deri në fund të holokaustit.
29. Me të mbaruar holokausti, mbreti dhe tërë ata që ishin me të u përkulën dhe adhuruan.
30. Pastaj mbreti Ezekia dhe paria urdhëruan levitët të lëvdonin Zotin me fjalët e Davidit dhe të shikuesit Asaf; ata e lëvduan me gëzim, pastaj u përkulën dhe e adhuruan.
31. Atëherë Ezekia mori fjalën dhe tha: "Tani që i jeni shenjtëruar Zotit, afrohuni dhe sillni flijime dhe oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit". Kështu asambleja solli flijime dhe oferta falënderimi; dhe të gjithë ata që ua donte zemra sollën holokauste.
32. Numri i holokausteve që solli asambleja ishte shtatëdhjetë dema, njëqind desh dhe dyqind qengja; të tëra këto ishin holokauste për Zotin.
33. Kafshët e shenjtëruara ishin gjashtëqind lopë dhe tre mijë dele.