2 i Kronikave 25:6-15 Bibla Shqip (ALBB)

6. Rekrutoi gjithashtu me para njëqind mijë burra nga Izraeli, të fortë dhe trima, për njëqind talenta argjendi.

7. Por një njeriu i Perëndisë erdhi tek ai dhe i tha: "O mbret, ushtria e Izraelit të mos vijë me ty, sepse Zoti nuk është me Izraelin, as me ndonjë nga bijtë e Efraimit!

8. Por në rast se dëshiron të shkosh, shko megjithatë; edhe po të tregohesh trim në betejë, Perëndia do të të bëjë të biesh para armikut, sepse Perëndia ka pushtet të ndihmojë dhe të të bëjë që të biesh".

9. Amatsiahu i tha atëherë njeriut të Perëndisë: "Por çdo t'i bëj njëqind talentat që ia dhashë ushtrisë së Izraelit?". Njeriu i Perëndisë u përgjigj: "Zoti mund të të japë më tepër se aq".

10. Atëherë Amatsiahu e shpërndau ushtrinë që kishte ardhur tek ai nga Efraimi, me qëllim që të kthehej në shtëpi të saj; por zemërimi i pjesëtarëve të saj u rrit shumë kundër Judës dhe ata u kthyen në shtëpi me një zemërim të madh.

11. Pastaj Amatsiahu, mbasi mori zemër, u vu në krye të popullit të tij, shkoi në luginën e Kripës dhe vrau dhjetë mijë njerëz të Seirit.

12. Bijtë e Judës kapën gjallë dhjetë mijë të tjerë dhe i çuan në majë të shkëmbit, prej ku i hodhën poshtë; dhe të tërë u bënë copë-copë.

13. Por burrat e ushtrisë, që Amatsiahu kishte shpërndarë që të mos vinin me të për të luftuar, u vërsulën mbi qytetet e Judës, nga Samaria deri në Beth-Horon, duke vrarë tre mijë banorë dhe duke marrë një plaçkë të madhe.

14. Pas kthimit të tij nga masakra e edomitëve, Amatsiahu urdhëroi që t'i sillnin perënditë e bijve të Seirit, i vendosi si perëndi të tij, ra përmbys përpara tyre dhe u ofroj temjan.

15. Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Amatsiahut dhe i dërgoi një profet për t'i thënë: "Pse kërkove perënditë e këtij populli, që nuk kanë qenë të zotë të çlirojnë popullin e tyre nga dora jote?".

2 i Kronikave 25