2 i Kronikave 24:2-11 Bibla Shqip (ALBB)

2. Joasi bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit gjatë gjithë kohës që jetoi prifti Jehojada.

3. Jehojada i zgjodhi për të dy bashkëshorte dhe Joasit i lindën djem dhe vajza.

4. Mbas kësaj e shtyu zemra Joasin të ndreqë shtëpinë e Zotit.

5. Prandaj mblodhi priftërinjtë dhe levitët dhe u tha atyre: "Shkoni në qytetet e Judës dhe mblidhni vit për vit nga gjithë Izraeli paratë që nevojiten për të restauruar shtëpinë e Perëndisë tuaj; përpiquni ta kryeni shpejt këtë punë". Por levitët nuk treguan asnjë nxitim.

6. Atëherë mbreti thirri kryepriftin Jehojada dhe i tha: "Pse nuk u kërkove levitëve që të sillnin nga Juda dhe nga Jeruzalemi taksën e caktuar nga Moisiu, shërbëtor i Zotit, dhe nga asambleja e Izraelit për çadrën e dëshmisë?".

7. Në të vërtetë bijtë e Athaliahës, të kësaj gruaje të keqe, kishin plaçkitur shtëpinë e Perëndisë dhe kishin përdorur madje gjithë gjërat e shenjtëruara të shtëpisë të Zotit për Baalët.

8. Me urdhër të mbretit bënë një arkë dhe e vunë jashtë, te porta e shtëpisë të Zotit.

9. Pastaj bënë një shpallje në Judë dhe në Jeruzalem, me qëllim që t'i çohej Zotit taksa që Moisiu, shërbëtori i Perëndisë, i kishte vënë Izraelit në shkretëtirë.

10. Tërë krerët dhe tërë populli u gëzuan dhe sollën paratë, duke i hedhur në arkë derisa e mbushën.

11. Kur arka çohej nga levitët tek inspektori i mbretit, sepse shihnin se kishte në të shumë para, sekretari i mbretit dhe i ngarkuari nga kryeprifti vinin për të zbrazur arkën; pastaj e merrnin dhe e çonin përsëri në vendin e saj. Kështu vepronin çdo ditë; në këtë mënyrë grumbullonin një sasi të madhe parash.

2 i Kronikave 24