10. Tërë krerët dhe tërë populli u gëzuan dhe sollën paratë, duke i hedhur në arkë derisa e mbushën.
11. Kur arka çohej nga levitët tek inspektori i mbretit, sepse shihnin se kishte në të shumë para, sekretari i mbretit dhe i ngarkuari nga kryeprifti vinin për të zbrazur arkën; pastaj e merrnin dhe e çonin përsëri në vendin e saj. Kështu vepronin çdo ditë; në këtë mënyrë grumbullonin një sasi të madhe parash.
12. Pastaj mbreti dhe Jehojada ua jepnin këto atyre që bënin shërbimin në shtëpinë e Zotit; dhe ata paguanin gurgdhendësit dhe marangozët për të restauruar shtëpinë e Zotit, si edhe punëtorët e hekurit dhe të bronzit që merreshin me shtëpinë e Zotit.
13. Kështu punëtorët i kryen me kujdes punimet dhe me anë të tyre ndreqjet shkuan mbarë; ata e kthyen përsëri shtëpinë e Perëndisë në gjendjen e saj origjinale dhe e përforcuan atë.
14. Kur kishin mbaruar, paratë që mbetën i çuan para mbretit dhe Jehojadës dhe me to bënë orendi për shtëpinë e Zotit, orendi për shërbimin dhe për holokaustet, kupa dhe vegla të tjera prej ari ose argjendi. Derisa jetoi Jehojada, u ofruan vazhdimisht holokauste në shtëpinë e Zotit.
15. Por Jehojada, tanimë i plakur dhe i ngopur me ditë, vdiq; ai ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur vdiq;
16. e varrosën në qytetin e Davidit bashkë me mbretërit, sepse kishte bërë të mira në Izrael, ndaj Perëndisë dhe ndaj shtëpisë së tij.
17. Mbas vdekjes së Jehojadës, krerët e Judës shkuan dhe ranë përmbys përpara mbretit; dhe mbreti i dëgjoi.
18. Pastaj ata braktisën shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, dhe u shërbyen Asherimëve dhe idhujve; për shkak të këtij mëkati, zemërimi i Perëndisë ra mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin.
19. Zoti u dërgoi atyre profetë për t'i bërë të kthehen tek ai; këta dëshmuan kundër tyre, por ata nuk deshën t'i dëgjojnë.