1. Joasi ishte shtatë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi dyzet vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Tsibiah dhe ishte nga Beer-Sheba.
2. Joasi bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit gjatë gjithë kohës që jetoi prifti Jehojada.
3. Jehojada i zgjodhi për të dy bashkëshorte dhe Joasit i lindën djem dhe vajza.
4. Mbas kësaj e shtyu zemra Joasin të ndreqë shtëpinë e Zotit.
5. Prandaj mblodhi priftërinjtë dhe levitët dhe u tha atyre: "Shkoni në qytetet e Judës dhe mblidhni vit për vit nga gjithë Izraeli paratë që nevojiten për të restauruar shtëpinë e Perëndisë tuaj; përpiquni ta kryeni shpejt këtë punë". Por levitët nuk treguan asnjë nxitim.
6. Atëherë mbreti thirri kryepriftin Jehojada dhe i tha: "Pse nuk u kërkove levitëve që të sillnin nga Juda dhe nga Jeruzalemi taksën e caktuar nga Moisiu, shërbëtor i Zotit, dhe nga asambleja e Izraelit për çadrën e dëshmisë?".