2 i Kronikave 20:26-37 Bibla Shqip (ALBB)

26. Ditën e katërt u mblodhën në Luginën e Bekimit, ku bekuan Zotin; prandaj ky vend quhet Lugina e Bekimit edhe sot.

27. Pastaj tërë njerëzit e Judës dhe të Jeruzalemit, me Jozafatin në krye, u nisën me gëzim për t'u kthyer në Jeruzalem, sepse Zoti u kishte dhënë shkas të gëzohen mbi armiqtë e tyre.

28. Kështu hynë në Jeruzalem me harpa, me qeste dhe me bori dhe u drejtuan nga shtëpia e Zotit.

29. Tmerri i Zotit ra mbi të gjitha mbretëritë e vendeve të tjera, kur mësuan që Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit.

30. Mbretëria e Jozafatit qe e qetë; Perëndia i tij i dha paqe rreth e qark.

31. Kështu Jozafati mbretëroi mbi Judë. Ai ishte tridhjetë e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jeruzalem; e ëma quhej Azubah dhe ishte bija e Shilhit.

32. Ai ndoqi kudo rrugët e atit të tij, Asa, dhe nuk u largua prej tyre, duke bërë atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit.

33. Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën, sepse populli nuk e kishte akoma zemrën të kthyer në mënyrë të qëndrueshme nga Perëndia i etërve të tyre.

34. Pjesa tjetër e bëmave të Jozafatit, nga e para deri në atë të fundit, janë të shkruara në analet e Jehut, birit të Hananit, që përfshihen në librin e mbretërve të Izraelit.

35. Pas kësaj Jozafati, mbret i Judës, u lidh me Ashaziahun, mbretin e Izraelit, që vepronte me paudhësi;

36. ai u lidh me të për të ndërtuar anije që të shkonin në Tarshish; i pajisën anijet në Etsion-Geber.

37. Atëherë Eliezeri, bir i Dodavahut nga Mareshah, profetizoi kundër Jozafatit, duke thënë: "Nga që je bashkuar me Ashaziahun, Zoti ka shkatërruar veprat e tua". Kështu anijet u shkatërruan dhe nuk arritën dot në Tarshish.

2 i Kronikave 20