10. Tmerri i Zotit zuri të gjitha mbretëritë e vendeve që ishin rreth e qark Judës, dhe kështu ato nuk i shpallën luftë Jozafatit.
11. Disa nga filistenjtë i çuan Jozafatit dhurata dhe një haraç në argjend; edhe arabët i sollën bagëti të imta: shtatë mijë e shtatëqind desh dhe shtatë mijë e shtatëqind cjep.
12. Kështu Jozafati u bë gjithnjë e më i madh dhe ndërtoi në Judë fortesa dhe qytete-depozitë.
13. Kreu shumë punime në qytetet e Judës, dhe në Jeruzalem mbante luftëtarë, burra të fortë dhe trima.
14. Ky është regjistrimi i tyre, sipas shtëpive të tyre atërore. Nga Juda, komandantët e mijësheve ishin Adnahu, si prijës, dhe bashkë me të treqind mijë burra të fortë dhe trima;
15. pas tij vinin Jehohanani, si prijës, me dyqind e tetëdhjetë mijë burra;
16. pas tij ishte Amasiahu, bir i Zikrit, që i ishte kushtuar vullnetarisht Zotit, dhe me të dyqind mijë burra të fortë dhe trima.
17. Nga Beniamini ishte Eliada, burrë i fortë dhe trim, dhe me të dyqind mijë burra të armatosur me harqe dhe me mburoja;
18. pas tij vinte Jehozabadi, dhe me të njëqind e shtatëdhjetë mijë burra gati për të marrë pjesë në luftë.
19. Tërë këta ishin në shërbim të mbretit, përveç atyre që ai kishte vendosur në qytetet e fortifikuara të të gjithë Judës.