2 i Kronikave 13:9-19 Bibla Shqip (ALBB)

9. A nuk keni dëbuar vallë priftërinjtë e Zotit, bij të Aaronit, dhe levitët dhe nuk jeni bërë priftërinj si popujt e vendeve të tjera? Kështu kushdo që vjen me një dem të vogël dhe me shtatë desh për t'u shenjtëruar, mund të bëhet prift i atyre që nuk janë perëndi.

10. Sa për ne, Zoti është Perëndia ynë dhe ne nuk e kemi braktisur; priftërinjtë që i shërbejnë Zotit janë bij të Aaronit, ndërsa levitët kryejnë detyrat e tyre.

11. Çdo mëngjes e çdo mbrëmje ata i ofrojnë Zotit holokauste dhe temjan erëmirë; për më tepër ata i vendosin bukët e paraqitjes në një tryezë të pastër, dhe çdo mbrëmje ndezin shandanin e artë me llambat e tij, sepse ne respektojmë urdhrin e Zotit, Perëndisë tonë, por ju e keni braktisur.

12. Dhe ja, vet Perëndia është me ne, mbi kryet tonë dhe priftërinjtë me bori kumbuese janë duke i rënë alarmit kundër jush. O bij të Izraelit, mos luftoni kundër Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, sepse nuk do të keni sukses".

13. Ndërkaq Jeroboami me një pritë u mori krahët për t'i sulmuar; kështu ndërsa ai ishte radhitur para Judës, ata të pritës ndodheshin prapa tyre.

14. Kur ata të Judës u kthyen, vunë re që beteja i priste si nga përpara ashtu dhe nga prapa. Atëherë i klithën Zotit dhe priftërinjtë u ranë borive.

15. Pastaj njerëzit e Judës lëshuan një britmë dhe, ndërsa njerëzit e Judës ulërinin, ndodhi që Perëndia goditi Jeroboamin dhe tërë Izraelin përpara Abijahut dhe Judës.

16. Kështu bijtë e Izraelit ikën përpara Judës, dhe Perëndia i dorëzoi në duart e tij.

17. Abijahu dhe njerëzit e tij i mundën keq; nga radhët e izraelitëve ranë të vdekur pesëqind mijë luftëtarë të zgjedhur.

18. Kështu në atë kohë bijtë e Izraelit u poshtëruan, ndërsa bijtë e Judës u përforcuan sepse ishin mbështetur tek Zoti, Perëndia i etërve të tyre.

19. Abijahu e ndoqi Jeroboamin dhe i mori qytetet që vijojnë: Bethelin me fshatrat përreth, Jeshanahun me fshatrat përreth dhe Efraimin me fshatrat përreth.

2 i Kronikave 13