2 i Kronikave 13:1-7 Bibla Shqip (ALBB)

1. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit, Abijahu filloi të mbretërojë në Judë.

2. Ai mbretëroi tre vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Mikajah; ishte bija e Urielit nga Gibeahu. Pati luftë midis Abijahut dhe Jeroboamit.

3. Abijahu u përgatit për betejën me një ushtri me luftëtarë trima, katërqind mijë njerëz të zgjedhur; edhe Jeroboami u radhit në rend beteje kundër tij me tetëqind mijë burra të zgjedhur, njerëz të fortë dhe trima.

4. Duke qëndruar në malin e Tsemaraimit, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, Abijahu tha: "Më dëgjoni, Jeroboam dhe tërë Izraeli!

5. A nuk e dini vallë që Zoti, Perëndia i Izraelit, ia ka dhënë përgjithnjë Davidit mbretërimin mbi Izrael, atij dhe bijve të tij, me një besëlidhje kripe?

6. Megjithatë Jeroboami, bir i Nebatit, shërbëtor i Salomonit, birit të Davidit, u ngrit dhe u rebelua kundër zotërisë së tij.

7. Rreth tij ishin mbledhur njerëz të neveritshëm dhe horra, që ishin bërë të fortë kundër Roboamit, birit të Salomonit, kur Roboami ishte i ri dhe pa përvojë, dhe nuk ishte mjaft i fortë sa t'u rezistonte atyre.

2 i Kronikave 13