2 e Korintasve 10:7-18 Bibla Shqip (ALBB)

7. A i shihni gjërat sipas pamjes së jashtme? Në qoftë se dikush është i bindur në veten e tij se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetja e tij: sikurse ai është i Krishtit, ashtu edhe ne jemi të Krishtit.

8. Edhe, nëse unë do ta mburrja veten më tepër për autoritetin tonë, që Zoti na dha për ndërtimin tuaj dhe jo për shkatërrimin tuaj, nuk do të turpërohesha.

9. Nuk dua të dukem se po kërkoj t'ju tremb me letrat e mia.

10. Sepse dikush thotë: ''Letrat e tij janë të ashpra dhe të fuqishme, kurse paraqitja e tij trupore është e dobët, dhe fjala e tij ka pak peshë''.

11. Le ta dijë, pra, ai njeri, se ashtu si jemi në fjalë, me anë të letrave kur jemi larg, të tillë do të jemi edhe me vepra, kur të jemi të pranishëm.

12. Sepse nuk guxojmë të renditemi ose të krahasohemi me ata që e rekomandojnë veten e vet; por ata, duke matur veten e tyre dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kanë mend.

13. Por ne nuk do të mburremi jashtë masës, po sipas masës së rregullës që caqet i caktoi Perëndia, sa të arrijmë deri te ju,

14. Sepse ne nuk po shtrihemi përtej caqeve, sikurse nuk arritëm deri te ju, sepse ne arritëm më të vërtetë deri te ju me anë të predikimit të ungjillit të Krishtit.

15. Dhe ne nuk mburremi përtej masës për punët e tjetrit, por kemi shpresë se, duke u rritur besimi juaj, ne do të kemi një konsideratë më të madhe ndër ju, sipas cakut tonë,

16. sa që përhapim ungjillin edhe përtej vendeve tuaj, pa u mburrur me ato që janë bërë në këtë lëmë nga të tjerë.

17. Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin,

18. sepse nuk miratohet ai që e rekomandon veten e tij, po ai të cilin e rekomandon Zoti.

2 e Korintasve 10