7. Pastaj Davidi i tha priftit Abiathar, birit të Ahimelekut: "Të lutem, më sill efodin". Abiathari i solli efodin Davidit.
8. Kështu Davidi u këshillua me Zotin dhe e pyeti: "A duhet ta ndjek këtë bandë? Do ta arrij?". Zoti iu përgjigj: "Ndiqe, sepse do ta arrish me siguri dhe do të rimarrësh pa tjetër çdo gjë".
9. Kështu Davidi u nis me gjashtëqind njerëzit që kishte me vete dhe arriti në përruan Besor, ku u ndalën ata që kishin mbetur prapa;
10. por Davidi vazhdoi ndjekjen me katërqind njerëz, kurse dyqind mbetën prapa, sepse ishin tepër të lodhur për të kapërcyer përruan e Besorit.
11. Gjetën në fushë një egjiptas dhe ia çuan Davidit. I dhanë bukë për të ngrënë dhe ujë për të pirë;
12. i dhanë gjithashtu një copë bukë fiku dhe dy vile rrushi. Pasi hëngri, ai e mblodhi veten, sepse nuk kishte ngrënë bukë as nuk kishte pirë ujë tri ditë e tri net me radhë.