1 i Samuelit 26:1-10 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zifenjtë erdhën te Sauli në Gibeah dhe i thanë: "Mos është fshehur Davidi në kodrën e Hakilahut në kufi me shkretëtirën?".

2. Atëherë Sauli u ngrit dhe zbriti në drejtim të shkretëtirës së Zifit, duke pasur me vete tre mijë njerëz të zgjedhur të Izraelit, për të kërkuar Davidin në shkretëtirën e Zifit.

3. Sauli e ngriti kampin e tij në kodrën e Hakilahut, që ndodhet në kufi me shkretëtirën pranë rrugës, ndërsa Davidi gjendej në shkretëtirë. Kur e kuptoi që Sauli vinte për ta kërkuar në shkretëtirë,

4. Davidi dërgoi disa spiunë dhe mësoi që Sauli kishte arritur me të vërtetë.

5. Atëherë Davidi u ngrit dhe shkoi në vendin ku Sauli kishte ngritur kampin. Davidi vrojtoi vendin ku ishin shtrirë Sauli dhe Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së tij. Sauli ishte shtrirë në kampin e qerreve dhe njerëzit e tij ishin rreth tij.

6. Davidi iu drejtua pastaj hiteut Alimelek dhe Abishait, birit të Tserujahut dhe vëlla i Joabit; dhe u tha atyre: "Kush do të vijë me mua te Sauli në kamp?". Abishai u përgjigj: "Do të vij unë bashkë me ty".

7. Kështu Davidi dhe Abishai arritën natën te këta njerëz; dhe ja që Sauli rrinte shtrirë i përgjumur në kampin e qerreve, me shtizën e tij të ngulur në tokë, nga ana e kokës, kurse Abneri dhe njerëzit e tij po flinin rreth tij.

8. Atëherë Abishai i tha Davidit: "Sot Perëndia të ka dhënë në dorë armikun tënd; prandaj, të lutem, më lejo ta godas me shtizë dhe ta mbërthej në tokë me një të rënë të vetme; nuk do të ketë nevojë për një goditje të dytë".

9. Por Davidi i tha Abishait: "Mos e vrit; kush me të vërtetë mund të ngrejë dorën kundër të vajosurit të Zotit pa u bërë fajtor?".

10. Pastaj Davidi shtoi: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, vetëm Zoti do ta godasë; o sepse do t'i vijë dita dhe ka për të vdekur, o sepse do të shkojë të luftojë dhe do të vritet.

1 i Samuelit 26