1 i Samuelit 23:24-29 Bibla Shqip (ALBB)

24. Atëherë ata u ngritën dhe shkuan në Zif, përpara Saulit: por Davidi dhe njerëzit e tij ishin në shkretëtirën e Maonit, në Arabah, në jug të shkretëtirës.

25. Kur Sauli dhe njerëzit e tij shkuan ta kërkojnë, Davidin e kishin lajmëruar; prandaj ai zbriti te shkëmbi dhe mbeti në shkretëtirën e Maonit. Kur e mori vesh Sauli, e ndoqi Davidin në shkretëtirën e Maonit.

26. Sauli ecte mbi një anë të malit, ndërsa Davidi me gjithë njerëzit e tij ecnin në anën tjetër. Kur Davidi po shpejtonte marshimin e tij për t'i shpëtuar Saulit, ndërsa Sauli dhe njerëzit e tij ishin duke rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij për t'i kapur,

27. arriti te Sauli një lajmëtar që tha: "Shpejtohu të vish, sepse filistenjtë kanë pushtuar vendin".

28. Kështu Sauli nuk e ndoqi më Davidin dhe shkoi të përballojë filistenjtë; prandaj ky vend u quajt "shkëmbi i ndarjes".

29. Pastaj që andej Davidi shkoi për t'u vendosur në fortesat e En-Gedit.

1 i Samuelit 23