1. Pastaj Davidi u nis që andej dhe u strehua në shpellën e Adulamit; kur vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij e mësuan, zbritën aty poshtë tek ai.
2. Dhe tërë ata që hasnin vështirësi, që kishin borxhe o që ishin të pakënaqur u mblodhën pranë tij dhe ai u bë kreu i tyre. Ishin me të rreth katërqind veta.
3. Që andej Davidi shkoi në Mitspah të Moabit dhe i tha mbretit të Moabit: "Lejo që ati dhe nëna ime të vijnë dhe të banojnë me ju, derisa unë të mësoj se çfarë do të bëjë Perëndia për mua".
4. Kështu ai i çoi para mbretit të Moabit, dhe ata qëndruan me të tërë kohën që Davidi ndodhej në fortesë.
5. Pastaj profeti Gad i tha Davidit: "Mos qëndro më në fortesë, por nisu dhe shko në vendin e Judës". Atëherë Davidi u nis dhe shkoi në pyllin e Herethit.