1 i Samuelit 20:2-8 Bibla Shqip (ALBB)

2. Jonathani iu përgjigj: "Mos ndodhtë kurrë! Ti nuk ke për të vdekur; ja im atë nuk bën asnjë veprim të madh apo të vogël pa ma njoftuar mua. Pse im atë të ma fshihte këtë gjë? Nuk është e mundur".

3. Davidi u betua përsëri dhe tha: "Yt atë e di me siguri që unë gëzoj hirin tënd dhe do të ketë thënë: "Jonathani të mos e dijë këtë, që të mos hidhërohet". Por siç është e vërtetë që Zoti jeton, dhe që rron shpirti yt, mua nuk më ndan nga vdekja veçse një hap".

4. Jonathani i tha Davidit: "Çfarëdo gjë që të më kërkosh, unë do ta bëj për ty".

5. Davidi iu përgjigj Jonathanit: "Ja, nesër fillon hëna e re dhe unë duhet të ulem në tryezë me mbretin, por të më lër të shkoj dhe unë do të fshihem në fshatrat deri në mbrëmjen e ditë së tretë.

6. Në qoftë se atit tënd i bie në sy mungesa ime, ti do t'i thuash: "Davidi më është lutur me insistim të hidhet për pak kohë deri në Betlem, në qytetin e tij, sepse aty kremtohet flijimi për tërë familjen e tij".

7. Në qoftë se thotë: "Mirë", shërbëtori yt ka për të shpëtuar. Por në rast se zemërohet, dije se ka vendosur të ma bëjë të keqen.

8. Tregohu, pra, i mëshirshëm me shërbëtorin tënd, sepse e ke bërë të lidhet në një besëlidhje të Zotit me ty; por në rast se kam ndonjë faj, vritmë ti. Pse duhet të më çosh tek ati yt?".

1 i Samuelit 20