1 i Samuelit 20:12-31 Bibla Shqip (ALBB)

12. Atëherë Jonathani i tha Davidit: "Paça dëshmitar Zotin, Perëndinë e Izraelit! Nesër ose pasnesër, në këtë orë, do të hetoj qëllimet e atit tim, për të parë në se ai e shikon me sy të mirë Davidin, dhe po të mos dërgoj njeri të të njoftojë,

13. Zoti le t'i bëjë këtë gjë Jonathanit, madje edhe më keq. Në qoftë se përkundrazi im atë ka ndërmend të të bëjë një të keqe, unë do të të njoftoj dhe do të lë të shkosh me qëllim që ti të shkosh në paqe; dhe Zoti qoftë me ty, ashtu siç ka qenë me atin tim!

14. Derisa të jem gjallë, a nuk do të përdorësh ndaj meje mirësinë e Zotit, me qëllim që mos vritem?".

15. Por nuk do të heqësh dorë kurrë të përdorësh mirësinë ndaj shtëpisë sime, as atëherë kur Zoti të ketë shfarosur nga faqja e dheut tërë armiqtë e Davidit".

16. Kështu Jonathani lidhi një besëlidhje me shtëpinë e Davidit, duke thënë: "Zoti t'u kërkojë llogari armiqve të Davidit për gjakun!".

17. Për hir të dashurisë që kishte për të, Jonathani e vuri përsëri Davidin të betohet, sepse ai e donte si shpirtin e vet.

18. Pastaj Jonathani i tha: "Nesër fillon hëna e re dhe mungesa jote do të bjerë në sy, sepse vendi yt do të mbetet bosh.

19. Do të lësh të kalojmë tri ditë, pastaj do të zbresësh me të shpejtë dhe do të shkosh në vendin ku u fshehe ditën e ngjarjes, dhe do të rrish pranë gurit të Ezelit.

20. Unë do të hedh tri shigjeta përbri gurit sikur të gjuaja në shenjë.

21. Pastaj do të dërgoj një djalosh, duke i thënë: "Shko të kërkosh shigjeta". Në rast se i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë nga ana jote, prandaj merri!" atëherë eja sepse, ashtu si Zoti jeton, punët të ecin mbarë ty dhe nuk ka asnjë rrezik.

22. Në qoftë se përkundrazi i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë matanë teje", atëherë shko, sepse Zoti të bën të ikësh.

23. Sa për gjërat për të cilat kemi folur midis nesh, ja, Zoti qoftë dëshmitar midis teje dhe meje përgjithnjë".

24. Kështu Davidi u fsheh nëpër ara; kur filloi hëna e re, mbreti u ul për të ngrënë.

25. Mbreti u ul në karrigen e tij, si herët e tjera, në karrigen pranë murit; Jonathani u ul përballë tij. Abneri u ul pranë Saulit, por vendi i Davidit mbeti bosh.

26. Megjithatë Sauli nuk tha asgjë atë ditë, sepse mendonte: "Do t'i ketë ndodhur diçka; nuk do të jetë i pastër; me siguri ai nuk është i pastër".

27. Por të nesërmen, ditën e dytë të hënës së re, vendi i Davidit ishte akoma bosh. Atëherë Sauli i tha Jonathanit, birit të tij: "Pse biri i Isait nuk erdhi për të ngrënë as dje, as sot?".

28. Jonathani iu përgjigj Saulit: "Davidi më kërkoi me insistim ta lë të shkojë në Betlem;

29. dhe tha: "Të lutem lërmë të shkoj, sepse kemi në qytet një flijim në familje, dhe vëllai im më ka detyruar të marr pjesë në të; tani, pra, po të gëzoj hirin tënd, të lutem, lërmë të hidhem shpejt për të parë vëllezërit e mi". Për këtë arsye nuk erdhi në tryezën e mbretit".

30. Atëherë zemërimi i Saulit u ndez kundër Jonathanit dhe i tha: "O bir i çoroditur dhe rebel, vallë nuk e di unë që ti mban anën e birit të Isait, për turpin tënd dhe për turpin e lakuriqësisë të nënës sate?

31. Sepse derisa biri i Isait do të jetojë mbi tokë, nuk do të ketë qëndrueshmëri as për ty, as për mbretërinë tënde. Prandaj dërgo ta marrin dhe sille tek unë, sepse ai duhet të vdesë.

1 i Samuelit 20