1 i Samuelit 2:13-31 Bibla Shqip (ALBB)

13. Dhe ja si silleshin këta priftërinj me popullin; kur dikush ofronte një flijim, shërbëtori i priftit vinte, kur mishi ziente, me një pirun me tri maja në dorë,

14. dhe e fuste në tenxhere, në kazan apo në kusi, dhe tërë atë që piruni i madh tërhiqte sipër prifti e mbante për vete. Kështu vepronin me tërë izraelitët që shkonin në Shiloh.

15. Edhe para se të digjnin dhjamin, shërbëtori i priftit vinte dhe i thoshte atij që bënte flijimin: "Më jep mish për ta pjekur për priftin, sepse ai nuk do të pranojë prej teje mish të pjekur, por mish të gjallë".

16. Dhe në qoftë se njeriu i thoshte: "Më parë të tymoset dhjami, pastaj të marrësh sa të duash", ai përgjigjej: "Jo, duhet të ma japësh tani; përndryshe do ta marr me forcë".

17. Prandaj mëkati i dy të rinjve ishte shumë i madh përpara Zotit, sepse ata përçmonin ofertat që i bëheshin Zotit.

18. Por Samueli kryente shërbimin para Zotit, megjithëse akoma fëmijë, dhe ishte mbështjellë me një efod prej liri.

19. E ëma i përgatiste një veshje të vogël dhe ia çonte çdo vit kur ngjitej me burrin e saj për të ofruar flijimin vjetor.

20. Atëherë Eli bekonte Elkanahun dhe bashkëshorten e tij, duke thënë: "Zoti të dhëntë fëmijë të tjerë nga kjo grua, me kërkesën që ajo i ka bërë Zotit!". Pastaj ata ktheheshin në shtëpinë e tyre.

21. Kështu Zoti vizitoi Anën, dhe kjo mbeti me barrë dhe lindi tre djem dhe dy vajza. Ndërkaq djali Samuel po rritej pranë Zotit.

22. Por Eli ishte shumë plak dhe dëgjoi të gjitha ato që bijtë e tij i bënin gjithë Izraelit dhe si ata binin në shtrat me gratë që kryenin shërbimin në hyrje të çadrës së mbledhjes;

23. dhe u tha atyre: "Pse bëni gjëra të tilla? Sepse dëgjoj nga tërë populli për veprimet tuaja të këqija.

24. Mos, bijtë e mi, sepse zërat që dëgjoj për ju nuk janë aspak të mira; ju e shtyni popullin e Zotit të mëkatojë.

25. Në rast se një njeri mëkaton kundër një njeriu tjetër, Perëndia e gjykon, por në rast se një njeri mëkaton kundër Zotit, kush do të ndërhyjë për të?". Por ata nuk e dëgjuan zërin e atit të tyre, sepse Zoti dëshironte të vdisnin.

26. Ndërkaq fëmija Samuel po rritej në shtat dhe në mirëdashjen e Zotit dhe të njerëzve.

27. Një njeri i Perëndisë erdhi tek Eli dhe i tha: "Kështu flet Zoti: A nuk u shfaqa në shtëpinë e atit tënd, kur në Egjipt ata ishin skllevër të shtëpisë së Faraonit?

28. Nuk e kam zgjedhur unë midis gjithë fiseve të Izraelit, që të jetë prifti im, të ngjitet te altari im, të djegë temjanin dhe të veshë efodin para meje? Dhe a nuk kam qenë unë ai që i dha shtëpisë së atit tënd tërë flijimet e djegura të bijve të Izraelit të bëra me zjarr?

29. Pse pra i përçmoni flijimet dhe blatimet e mia që kam urdhëruar të bëhen në banesën time, dhe pse nderoni më tepër fëmijët tuaj se mua, duke u trashur me pjesën më të mirë të blatimeve të Izraelit, të popullit tim?

30. Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë kisha shpallur që shtëpia jote dhe shtëpia e atit tënd do të kishin ecur gjithnjë para meje, por tani Zoti thotë: Qoftë larg meje kjo gjë; sepse unë nderoj ata që më nderojnë, por ata që më përçmojnë do të përçmohen gjithashtu nga ana ime.

31. Ja, po vijnë ditët kur unë do të shkatërroj forcën tënde dhe forcën e shtëpisë së atit tënd në mënyrë që të mos ketë më asnjë plak në shtëpinë tënde.

1 i Samuelit 2