1 i Samuelit 2:11-20 Bibla Shqip (ALBB)

11. Pastaj Elkanahu u kthye në shtëpinë e tij në Ramah, dhe fëmija qëndroi që t'i shërbejë Zotit në prani të priftit Eli.

12. Bijtë e Elit ishin njerëz të këqij; nuk e njihnin Zotin.

13. Dhe ja si silleshin këta priftërinj me popullin; kur dikush ofronte një flijim, shërbëtori i priftit vinte, kur mishi ziente, me një pirun me tri maja në dorë,

14. dhe e fuste në tenxhere, në kazan apo në kusi, dhe tërë atë që piruni i madh tërhiqte sipër prifti e mbante për vete. Kështu vepronin me tërë izraelitët që shkonin në Shiloh.

15. Edhe para se të digjnin dhjamin, shërbëtori i priftit vinte dhe i thoshte atij që bënte flijimin: "Më jep mish për ta pjekur për priftin, sepse ai nuk do të pranojë prej teje mish të pjekur, por mish të gjallë".

16. Dhe në qoftë se njeriu i thoshte: "Më parë të tymoset dhjami, pastaj të marrësh sa të duash", ai përgjigjej: "Jo, duhet të ma japësh tani; përndryshe do ta marr me forcë".

17. Prandaj mëkati i dy të rinjve ishte shumë i madh përpara Zotit, sepse ata përçmonin ofertat që i bëheshin Zotit.

18. Por Samueli kryente shërbimin para Zotit, megjithëse akoma fëmijë, dhe ishte mbështjellë me një efod prej liri.

19. E ëma i përgatiste një veshje të vogël dhe ia çonte çdo vit kur ngjitej me burrin e saj për të ofruar flijimin vjetor.

20. Atëherë Eli bekonte Elkanahun dhe bashkëshorten e tij, duke thënë: "Zoti të dhëntë fëmijë të tjerë nga kjo grua, me kërkesën që ajo i ka bërë Zotit!". Pastaj ata ktheheshin në shtëpinë e tyre.

1 i Samuelit 2