5. Davidi shkonte kudo që Sauli e dërgonte dhe dilte me sukses. Kështu Sauli e vuri në krye të luftëtarëve dhe shihej me sy të mirë nga gjithë populli, madje edhe nga shërbëtorët e Saulit.
6. Gjatë kthimit të tyre, kur Davidi po kthehej nga vrasja e filisteut, gratë e të gjitha qyteteve të Izraelit i dolën para mbretit Saul, duke kënduar dhe hedhur valle me dajre, me thirrje gëzimi dhe me vegla muzikore.
7. Kështu gratë u përgjigjeshin njëra-tjetrës duke kënduar, dhe thoshin: "Sauli vrau mijëshen e tij dhe Davidi dhjetëmijëshen e tij.
8. Kjo gjë e pezmatoi shumë Saulin dhe këto fjalë nuk i pëlqyen; ai tha: "Davidit i njohin dhjetë mijë dhe mua vetëm një mijë. Tani nuk i mungon veçse mbretëria!".
9. Kështu nga ajo ditë Sauli e shikoi me zili Davidin.
10. Të nesërmen një frymë e keqe nga ana e Perëndisë e zotëroi Saulin që sillej si një i marrë në mes të shtëpisë, kurse Davidi i binte harpës me dorën e tij si ditët e tjera dhe Sauli mbante në dorë shtizën.
11. Kështu Sauli e vërtiti shtizën, duke thënë: "Do ta gozhdoj Davidin në mur!". Por Davidi iu shmang goditjes dy herë.
12. Sauli kishte frikë nga Davidi, sepse Zoti ishte me të dhe e kishte braktisur Saulin.
13. Prandaj Sauli e largoi nga vetja dhe e bëri komandant të një mijë njerëzve; dhe ai shkonte e vinte në krye të popullit.
14. Davidit i shkonin mbarë të gjitha veprat, dhe Zoti ishte me të.
15. Sauli, duke parë që atij i shkonte shumë mbarë çdo gjë, kishte frikë prej tij;
16. por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse shkonte e vinte në krye të tyre.
17. Pastaj Sauli i tha Davidit: "Ja Merabi, bija ime më e madhe; do të ta jap për grua; u bëfsh për mua një bir trim dhe marrsh pjesë në betejat e Zotit". Sauli mendonte kështu: "Të mos jetë dora ime ta godasë, por dora e filistenjve".
18. Por Davidi iu përgjigj Saulit: "Kush jam unë dhe çfarë është jeta ime dhe familja e atit tim në Izrael, që unë të bëhem dhëndri i mbretit?".
19. Kur erdhi çasti për t'ia dhënë Davidit Merabin, bijën e Saulit, atë ia dhanë për grua Meholathitit Adriel.
20. Por Mikal, bija e Saulit, e dashuronte Davidin; këtë ia njoftuan Saulit dhe kjo gjë i pëlqeu.
21. Kështu Sauli mendoi: "Do t'ia jap, në mënyrë që ky të jetë një lak për të dhe ai të bjerë në duart e filistenjve".
22. Pas kësaj Sauli i urdhëroi shërbëtorët e tij: "Bisedoni fshehurazi me Davidin dhe i thoni: "Ja, mbreti është i kënaqur nga ti dhe të gjithë shërbëtorët e tij të duan, prandaj bëhu dhëndri i mbretit".
23. Shërbëtorët e Saulit ia çuan këto fjalë Davidit. Por Davidi u përgjigj: "Ju duket gjë e vogël të bëhesh dhëndri i mbretit?. Unë jam një njeri i varfër dhe nga shtresë e ulët".