2. Samueli u përgjigj: "Si mund të shkoj? Sauli ka për ta mësuar dhe do të më vrasë". Zoti tha: "Do të marrësh me vete një mëshqerre dhe do të thuash: "Kam ardhur për t'i ofruar një flijim Zotit".
3. Do të ftosh Isain në ceremoninë e flijimit, unë do të të tregoj atë që duhet të bësh, dhe ti ke për të vajosur atë që do të të them unë".
4. Kështu Samueli bëri atë që i kishte thënë Zoti dhe shkoi në Betlem; pleqtë e qytetit i dolën përpara duke u dridhur dhe i thanë: "Po na vjen në mënyrë paqësore?".
5. Ai u përgjigj "Vij në mënyrë paqësore; kam ardhur për t'i ofruar një flijim Zotit; pastrohuni dhe ejani me mua në flijim". Vuri të pastrohen edhe Isain dhe bijtë e tij dhe i ftoi në flijim.
6. Kur ata arritën, ai ia vuri syrin Eliabit dhe tha: "Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij".
7. Por Zoti i tha Samuelit: "Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën".
8. Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e bëri të kalojë përpara Samuelit; por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë".
9. Pastaj Isai bëri të kalojë Shamahu, por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë".
10. Kështu Isai bëri të kalojnë shtatë nga bijtë e tij përpara Samuelit; por Samueli i tha Isait: "Zoti nuk zgjodhi asnjë prej tyre".
11. Pastaj Samueli i tha Isait: "A janë këtu tërë bijtë e tu?". Ai u përgjigj: "Mungon më i riu që tani është duke kullotur delet". Samueli i tha Isait: "Dërgo ta sjellin, sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu".