15. Sauli u përgjigj: "Këto janë kafshë që ua kemi marrë amalekitëve, sepse populli kurseu pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve për t'i ofruar si flijime Zotit, Perëndisë tënd; por pjesën tjetër e kemi caktuar të shfaroset".
16. Atëherë Samueli i tha Saulit: "Mjaft! Unë do të të tregoj atë që më tha Zoti sonte!". Sauli i tha "Fol".
17. Kështu Samueli tha: "A nuk është vallë e vërtetë që kur ishe i vogël në sytë e tu ishe bërë kreu i fiseve të Izraelit, dhe që Zoti të ka vajosur mbret të Izraelit?
18. Zoti të kishte ngarkuar një mision, duke thënë: "Shko, vendos shfarosjen e mëkatarëve amalekitë dhe lufto kundër tyre derisa të shfarosen".
19. Pse, pra, nuk iu binde zërit të Zotit, por u hodhe mbi plaçkën dhe bëre atë që është e keqe në sytë e Zotit?".
20. Sauli i tha Samuelit: "Por unë iu binda zërit të Zotit, plotësova misionin që Zoti më kishte ngarkuar, solla Agagun, mbretin e Amalekut, dhe caktova për shfarosje amalekitët.
21. Por populli mori gjërat më të mira që duhet të ishin shfarosur, për t'i bërë flijime Zotit, Perëndisë tënd, në Gilgal".
22. Samueli i tha: "Ndoshta i pëlqejnë Zotit holokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.
23. Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret".
24. Atëherë Sauli i tha Samuelit: "Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij.