20. Pastaj Sauli dhe tërë populli që ishte me të u mblodhën dhe lëvizën drejt vendit të betejës; dhe ja që shpata e secilit drejtohej kundër shokut të tij dhe rrëmuja ishte shumë e madhe.
21. Vetë hebrenjtë, të cilët prej pak kohe gjendeshin me filistenjtë dhe ishin ngjitur bashkë me ta në kamp nga krahina përreth, u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonathanin.
22. Po kështu tërë izraelitët që ishin fshehur në zonën malore të Efraimit, kur mësuan që filistenjtë po ia mbathnin, filluan edhe ata t'i ndjekin duke marrë pjesë në betejë.
23. Kështu atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.
24. Por atë ditë njerëzit e Izraelit ishin të rraskapitur, sepse Sauli e kishte vënë popullin të betohej: "I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi".
25. Tërë populli hyri në një pyll, ku kishte mjaltë për tokë.
26. Me të hyrë populli në pyll, ai pa mjaltin që kullonte; por askush nuk e çoi dorën në gojë, sepse populli kishte frikë nga betimi që kishte bërë.
27. Por Jonathani nuk e kishte dëgjuar atin e tij kur ai e kishte vënë popullin të betohej; prandaj zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e ngjeu në hojet e mjaltit dhe e çoi në gojë; kështu shikimi i tij u bë më i qartë.
28. Njëri nga populli mori fjalën dhe tha: "Ati yt e ka vënë enkas popullin ta bëjë këtë betim, duke thënë: "Mallkuar qoftë ai njeri që do të prekë ushqim sot", megjithëse populli ishte i rraskapitur".
29. Atëherë Jonathani tha: "Ati im i solli dëm vendit; unë shijova pak nga ky mjaltë dhe shikimi im u bë më i qartë.
30. Sa më mirë do të kishte qenë sikur populli të kishte ngrënë sot lirisht plaçkën që gjeti te armiqtë! A nuk do të kishte pasur një masakër më të madhe të filistenjve?".
31. Po atë ditë ata i mundën filistenjtë nga Mikmashi deri në Aijalon, por populli ishte tepër i lodhur.
32. Kështu populli u hodh mbi plaçkën, rrëmbeu dele, lopë dhe viça dhe i theri për tokë; dhe populli i hëngri me gjithë gjakun e tyre.
33. Këtë ia treguan Saulit dhe i thanë: "Ja, populli po mëkaton kundër Zotit duke ngrënë mish me gjithë gjakun". Ai tha: "Ju keni kryer një shkelje; rrokullisni menjëherë një gur të madh pranë meje".
34. Pastaj Sauli urdhëroi: "Shpërndahuni midis popullit dhe i thoni: "Secili të sjellë këtu tek unë lopën dhe delen e tij; i therrni këtu dhe pastaj i hani, por mos mëkatoni ndaj Zotit, duke ngrënë mish me gjithë gjakun e tij!". Kështu gjithkush nga populli solli me vete lopën e tij dhe e theri në atë vend.
35. Sauli ndërtoi pastaj një altar kushtuar Zotit; ky ishte altar i parë që ai i ndërtoi Zotit.
36. Pastaj Sauli tha: "Të zbresim natën për të ndjekur filistenjtë dhe t'i zhveshim deri në dritën e mëngjesit; dhe të mos lëmë asnjë prej tyre të gjallë". Populli u përgjigj: "Vepro si të të duket më