1 i Samuelit 13:5-16 Bibla Shqip (ALBB)

5. Edhe filistenjtë u mblodhën për të luftuar kundër Izraelit, me tridhjetë mijë qerre, gjashtë mijë kalorës dhe shumë njerëz, si rëra në bregun e detit. Ata u nisën pra, dhe u vendosën në Mikmash, në lindje të Beth-Avenit.

6. Kur izraelitët e panë se ishin në rrezik (pse populli u gjend ngushtë), u fshehën në shpella, në gëmusha, ndër shkëmbinj, në guva dhe në hauze.

7. Disa Hebrenj kaluan Jordanin për të vajtur në vendin e Gadit dhe të Galaadit. Sauli ishte akoma në Gilgal dhe tërë populli shkonte pas tij duke u dridhur.

8. Ai priti shtatë ditë sipas kohës së caktuar nga Samueli; por Samueli nuk po vinte në Gilgal dhe populli kishte filluar të shpërndahej larg tij.

9. Atëherë Sauli tha: "Më sillni holokaustin dhe flijimet e falënderimit". Pastaj ofroi holokaustin.

10. Sapo kishte mbaruar së ofruari holokaustin, kur erdhi Samueli; dhe Sauli i doli përpara për ta përshëndetur.

11. Por Samueli i tha: "Çfarë bëre kështu?". Sauli u përgjigj: "Kur pashë që populli po shpërndahej larg meje, që ti nuk kishe arritur ditën e caktuar dhe që filistenjtë po mblidheshin në Mikmash, thashë me vete:

12. "Tani filistenjtë do të më sulen në Gilgal dhe unë akoma nuk i jam lutur Zotit". Prandaj e mblodha veten dhe ofrova olokastin".

13. Atëherë Samueli i tha Saulit: "Ti ke vepruar pa mend; nuk ke respektuar urdhërimin që Zoti, Perëndia yt, të kishte dhënë. Në fakt Zoti do të vendoste përgjithnjë mbretërinë tënde mbi Izraelin.

14. Tani përkundrazi mbretëria jote nuk ka për të vazhduar, Zoti ka kërkuar një njeri sipas zemrës së tij, dhe Zoti e ka caktuar princ të populli të tij, sepse ti nuk ke respektuar atë që Zoti të pati urdhëruar".

15. Pastaj Samueli u ngrit dhe u ngjit nga Gilgali në Gibeah të Beniaminit, dhe Sauli kaloi në revistë popullin që gjendej me të; ishin rreth gjashtë qind veta.

16. Sauli, Jonathani, bir i tij, dhe njerëzit që mbetën me ta qëndruan në Gibeah të Beniaminit, ndërsa filistenjtë ishin vendosur në Mikmash.

1 i Samuelit 13