1 i Mbretërve 4:22-34 Bibla Shqip (ALBB)

22. Furnizimi ditor i ushqimeve për Salomonin përbëhej nga tridhjetë kore lule dielli dhe gjashtëdhjetë kore mielli të zakonshëm,

23. dhjetë qe të majmë, njëzet qe të kullotës dhe njëqind dele pa llogaritur drerët, gazelat, kaprojtë dhe shpendët e majmë.

24. Ai sundonte gjithë vendin nga kjo anë e Lumit, nga Tifsahu deri në Gaza, mbi tërë mbretërit nga kjo anë e Lumit, dhe jetonte në paqe me të gjithë shtetet kufitare që ishin rreth e qark.

25. Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurt, secili nën pjergullën dhe fikun e tij, tërë kohën që mbretëroi Salomoni.

26. Salomoni kishte gjithashtu dyzet mijë stalla kuajsh për qerret e tij dhe dymbëdhjetë mijë kalorës.

27. Këta prefektë, secili në muajin e tij, merreshin me mbajtjen e mbretit Salomon dhe të gjithë atyre që pranoheshin në tryezën e tij; dhe nuk linin t'u mungonte asgjë.

28. Sillnin edhe elbin dhe kashtën për kuajt dhe mushkat në vendin e duhur, secili sipas urdhrave që kishte marrë.

29. Perëndia i dha Salomonit dituri, zgjuarsi të madhe dhe një mendje të hollë si rëra që është në bregun e detit.

30. Dhe dituria e Salomonit ia kaloi diturisë të të gjithë bijve të Lindjes dhe tërë diturisë të egjiptasve.

31. Ai ishte më i ditur se çdo njeri tjetër: më tepër se ezrahiti Ethan; më tepër se Hemani, se Kakoli dhe se Darda, bijtë e Maholit; dhe fama e tij u përhap në të gjitha kombet e afërta.

32. Shqiptoi tre mijë proverba dhe kantikët e tij qenë një mijë e pesëqind.

33. Foli edhe për drurët, nga cedri i Libanit deri tek hisopi që mbin nga muri; foli gjithashtu për kafshët, për zogjtë, për rrëshqanorët dhe për peshqit.

34. Nga të gjithë popujt vinin njerëz për të dëgjuar diturinë e Salomonit; ata ishin të dërguar nga tërë mbretërit e dheut që kishin dëgjuar të flitej për diturinë e tij.

1 i Mbretërve 4