1 i Mbretërve 3:15-21 Bibla Shqip (ALBB)

15. Salomoni u zgjua, dhe ja, ishte në ëndërr. Atëherë ai u kthye në Jeruzalem, u paraqit para arkës së besëlidhjes të Zotit, ofroi holokauste dhe flijime falënderimi, dhe shtroi një banket për të tërë shërbëtorët e tij.

16. Pastaj erdhën te mbreti dy prostituta dhe u paraqitën para tij.

17. Një nga të dy gratë tha: "O imzot, kjo grua dhe unë banojmë në të njëjtën shtëpi; unë linda kur ajo ishte akoma në shtëpi.

18. Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua; dhe nuk kishte njeri tjetër në shtëpi përveç ne të dyjave.

19. Djali i kësaj gruaje vdiq natën, sepse ajo kishte rënë në shtrat sipër tij.

20. Atëherë ajo u ngrit në mes të natës, mori djalin tim nga krahu im, ndërsa shërbëtorja jote po flinte, dhe e vuri mbi gjirin e saj, dhe mbi gjirin tim vendosi djalin e saj të vdekur.

21. Kur në mëngjes u ngrita për t'i dhënë gji djalit tim, pashë që kishte vdekur; por kur e këqyra me kujdes në mëngjes, pashë që nuk ishte djali që kisha lindur".

1 i Mbretërve 3