1 i Mbretërve 21:3-21 Bibla Shqip (ALBB)

3. Por Nabothi iu përgjigj Ashabit: "Të më ruajë Zoti të të lë trashëgiminë e etërve të mi!".

4. Prandaj Ashabi u kthye në shtëpi i trishtuar dhe i zemëruar për përgjigjen që Nabothi i Jezreelit i kishte dhënë: "Nuk do të jap trashëgiminë e etërve të mi!". Ra mbi shtratin e tij, ktheu kokën mënjanë dhe nuk deshi të hante.

5. Atëherë Jezebeli, bashkëshortja e tij, iu afrua dhe i tha: "Pse e ke frymën kaq të trishtuar dhe nuk ha?".

6. Ai iu përgjigj: "Sepse fola me Nabothin e Jezreelit dhe i thashë: "Më jep me para vreshtin tënd ose, po të të pëlqejë më shumë, të të jap një vresht tjetër si këmbim". Por ai m'u përgjigj: "Nuk do të të jap vreshtin tim!"".

7. Atëherë gruaja e tij Jezebel i tha: "A nuk je ti që mbretëron tani mbi Izrael? Çohu, ha dhe zemra jote të gëzohet; vreshtin e Nabothit në Jezreel do të ta jap unë".

8. Kështu ajo shkroi disa letra në emër të Ashabit, i vulosi me vulën e këtij dhe ua dërgoi pleqve dhe parisë që banonin në po atë qytet me Nabothin.

9. Në letrat ajo shkruante kështu: "Shpallni agjërimin dhe e ulni Nabothin në rreshtin e parë përpara popullit;

10. i vini përballë dy njerëzve të poshtër që të deponojnë kundër tij, duke thënë: "Ti ke blasfemuar Perëndinë dhe mbretin"; pastaj çojeni jashtë, goditeni me gurë dhe kështu të vdesë".

11. Njerëzit e qytetit të Nabothit, pleqtë dhe paria që banonin në qytetin e tij vepruan ashtu si Jezebeli kishte dërguar t'u thoshte, siç ishte shkruar në letrat që u kishte drejtuar.

12. Shpallën agjërimin dhe e ulën Nabothin përpara popullit.

13. Pastaj erdhën dy njerëz të poshtër që u ulën përballë tij; dhe këta dy të poshtër deponuan kundër Nabothit përpara popullit, duke thënë: "Nabothi ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin". Pastaj e çuan jashtë qytetit dhe e vranë me gurë; kështu ai vdiq.

14. Pas kësaj i çuan fjalë Jezebelit: "Nabothi u vra me gurë dhe vdiq".

15. Kur Jezebeli mësoi që Nabothi ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur, i tha Ashabit: "Çohu dhe shtjere në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel, që ai nuk pranoi të të japë me para, sepse Nabothi nuk jeton më, por ka vdekur".

16. Me të dëgjuar Ashabi që Nabothi kishte vdekur, u ngrit dhe u nis për të shtënë në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel.

17. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Elias, tishbitit, me këto fjalë, duke i thënë:

18. "Çohu dhe dil para Ashabit, mbretit të Izraelit, që banon në Samari; Ja, ai është në vreshtin e Nabothit, ku ka shkuar për ta shtënë në dorë.

19. Do t'i flasësh kështu: Kështu thotë Zoti: "Në fillim vrave një njeri dhe pastaj i rrëmbeve pronën". Pastaj t'i thuash: Kështu thotë Zoti: "Po në atë vend ku qentë kanë lëpirë gjakun e Nabothit, ata kanë për të lëpirë edhe gjakun tënd"".

20. Ashabi i tha Elias: "Më gjete pra, o armiku im?". Elia u përgjigj: "Po, të gjeta, sepse je shitur për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit.

21. Ja, unë do të sjell mbi ty fatkeqësinë, do t'i zhduk tërë pasardhësit e tu dhe do të shfaros nga shtëpia e Ashabit çdo mashkull, skllav apo i lirë në Izrael.

1 i Mbretërve 21