3. "Kështu thotë Ben-Hadadi: "Argjendi dhe ari yt janë të mitë, po kështu bashkëshortet e tua dhe bijtë e tu më të mirë janë të mitë"".
4. Mbreti i Izraelit u përgjigj: "Është ashtu si thua ti, o mbret, o imzot; unë dhe tërë ato që kam jemi të tutë".
5. Lajmëtarët e kthyen përsëri dhe thanë: "Kështu flet Ben-Hadadi: "Unë të çova fjalë se duhet të më japësh argjendin dhe arin tënd, gratë e tua dhe bijtë e tu;
6. por nesër, në këtë orë, do të dërgoj te ti shërbëtorët e mi, të cilët do të bastisin shtëpinë tënde dhe shtëpinë e shërbëtorëve të tu; ata do të marrin të gjitha gjërat që janë me të shtrenjta për ty"".
7. Atëherë mbreti i Izraelit thirri tërë pleqtë e vendit dhe u tha: "Shikoni, ju lutem, se si ky njeri kërkon shkatërrimin tonë, sepse më ka dërguar të kërkojë gratë e mia dhe bijtë e mi, argjendin dhe arin tim, dhe unë nuk i kam refuzuar asgjë".