1 i Mbretërve 2:7-24 Bibla Shqip (ALBB)

7. Por trego mirësi me bijtë e galaaditit Barzilai dhe ata të jenë ndër ata që hanë në tryezën tënde, sepse me një mirësi të njëllojtë ata erdhën tek unë kur po ikja me vrap para Absalomit, vëllait tënd.

8. Ja, pranë teje është edhe Shimei, bir i beniaminitit Gera, nga Bahurimi. Ai shqiptoi një mallkim të tmerrshëm ditën që shkoja në Mahanaim, por pastaj zbriti të më takojë në Jordan dhe unë iu betova në emër të Zotit: "Nuk do të bëj të vdesësh nga shpata".

9. Tani, pra, mos e lër të pandëshkuar, sepse ti je njeri i urtë dhe di atë që duhet të bësh. Bëj që flokët e tij të bardha të zbresin të lyera me gjak në Sheol".

10. Kështu Davidin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit.

11. Davidi mbretëroi mbi Izrael dyzet vjet, shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jeruzalem.

12. Pastaj Salomoni u ul mbi fronin e Davidit, atit të tij, dhe mbretëria e tij u vendos në mënyrë të qëndrueshme.

13. Adonijahu, bir i Hagithit, shkoi te Bath-Sheba, nëna e Salomonit. Kjo i tha: "A vjen me qëllime paqësore?". Ai u përgjigj: "Po, paqësore".

14. Pastaj shtoi: "Kam diçka për të të thënë". Ajo u përgjigj: "Thuaje, pra".

15. Kështu ai tha: "Ti e di që mbretëria më takonte mua dhe që tërë Izraeli priste që unë të mbretëroja. Por mbretëria m'u hoq dhe kaloi në duart e vëllait tim, sepse atij ia dha Zoti.

16. Tani do të të bëj një kërkesë, mos ma hidh poshtë". Ajo u përgjigj: "Thuaje, pra".

17. Atëherë ai tha: "Të lutem, thuaji mbretit Salomon, i cili nuk të refuzon asgjë, që të më japë për grua shunamiten Abishag".

18. Bath-Sheba iu përgjigj: "Mirë! Do t'i flas mbretit në favorin tënd".

19. Bath-Sheba shkoi, pra, te mbreti Salomon për t'i folur në favor të Adonijahut. Mbreti u ngrit për t'i dalë përpara, u përul përpara saj, pastaj u ul në fronin e tij dhe urdhëroi që të vinin një fron tjetër për nënën e mbretit, dhe ajo u ul në të djathtë të tij.

20. Ajo tha: "Kam një kërkesë të vogël, mos ma refuzo". Mbreti iu përgjigj: "Bëje, pra, kërkesën tënde, o nëna ime; unë nuk do ta refuzoj".

21. Atëherë ajo i tha: "Shunamitja Abishag t'i jepet si grua vëllait tënd Adonijah".

22. Mbreti Salomon iu përgjigj nënës së tij, duke i thënë: "Pse kërkon shunamiten Abishag për Adonijahun? Kërko për të edhe mbretërinë, sepse ai është vëllai im madhor; kërkoje për të, për priftin Abiathar dhe për Joabin, birin e Tserujahut!".

23. Atëherë mbreti Salomon u betua në emër të Zotit, duke thënë: "Perëndia ma bëftë këtë edhe më keq në rast se Adonijahu nuk e ka thënë këtë fjalë duke vënë në rrezik jetën e tij!

24. Prandaj, tani, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili më ka caktuar, ka vendosur të ulem në fronin e atit tim David dhe më ka themeluar një shtëpi ashtu siç kishte premtuar, sot Adonijahu do të ekzekutohet!".

1 i Mbretërve 2