35. Në vend të tij mbreti caktoi si komandant të ushtrisë Benajahun, birin e Jehojadit, dhe vuri priftin Tsadok në vend të Abiatharit.
36. Pastaj mbreti dërgoi të thërrasin Shimein dhe i tha: "Ndërto një shtëpi në Jeruzalem dhe atje do të banosh, nuk do të dalësh më për të shkuar andej e këtej.
37. Ditën që ke për të dalë dhe ke për të kaluar përruan Kidron, dije me siguri që ke për të vdekur; gjaku yt do të bjerë mbi kokën tënde".
38. Shimei iu përgjigj kështu mbretit: "Mirë; shërbëtori yt do të bëjë ashtu si ka thënë mbreti, zotëria im. Kështu Shimei qëndroi në Jeruzalem për një kohë të gjatë.
39. Por pas tre vjetëve ndodhi që dy shërbëtorë të Shimeit ikën pranë Akishit, birit të Makaahut, mbretit të Gathit. Këtë gjë ia njoftuan Shimeit dhe i thanë: "Ja, shërbëtorët e tu janë në Gath".
40. Atëherë Shimei u ngrit, shaloi gomarin e tij dhe shkoi në Gath për të kërkuar shërbëtorët e tij; Shimei shkoi atje dhe i ktheu shërbëtorët e tij nga Gathi.
41. Salomonit i thanë që Shimei kishte vajtur nga Jeruzalemi në Gath dhe se qe kthyer.
42. Atëherë mbreti dërgoi e thirri Shimein dhe i tha: "A nuk të vura të betoheshe në emër të Zotit dhe të kisha paralajmëruar solemnisht, duke të thënë: "Dije me siguri që ditën që do të dalësh andej këtej, ke për të vdekur". Dhe ti m'u përgjigje: "Fjala që dëgjova më shkon mbarë".
43. Pse, pra, nuk e respektove betimin që i bëre Zotit dhe urdhrin që të kishte dhënë?".
44. Mbreti i tha gjithashtu Shimeit: "Ti e di gjithë të keqen që i ke bërë Davidit, atit tim, dhe zemra jote është e ndërgjegjshme për këtë, prandaj Zoti do të bëjë që të bjerë mbi kokën tënde ligësia jote,
45. por mbreti Salomon ka për të qenë i bekuar dhe froni i Davidit do të jetë i qëndrueshëm përpara Zotit përjetë".
46. Pastaj mbreti i dha urdhër Benajahut, birit të Jehojadit, që doli e goditi Shimein dhe ky vdiq. Kështu mbeti e patundur mbretëria në duart e Salomonit.