6. Korbat i sillnin bukë e mish në mëngjes dhe bukë e mish në mbrëmje, dhe pinte ujë në përrua.
7. Mbas një farë kohe përroi shteroi, sepse nuk binte shi mbi vendin.
8. Atëherë Zoti i foli, duke thënë:
9. "Çohu dhe shko të vendosësh në Sarepta të sidonitëve, sepse atje kam urdhëruar një grua të ve të të sigurojë ushqimin".
10. Ai u ngrit, pra, dhe shkoi në Sarepta; sapo arriti në portën e qytetit, ai pa një të ve që mblidhte dru. Ai e thirri dhe i tha: "Shko dhe më merr pak ujë në një enë që të mund të pi".
11. Ndërsa ajo po shkonte për të marrë ujin, ai e thirri dhe i tha: "Më sill edhe një copë bukë".
12. Ajo u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia yt, bukë nuk kam, por kam vetëm një dorë miell në një enë dhe pak vaj në një qyp; dhe tani po mbledh dy copa dru për t'i përgatitur për vete dhe për djalin tim; do t'i hamë dhe pastaj kemi për të vdekur".
13. Elia i tha: "Mos ki frikë; shko dhe bëj si the; por më parë bëj një kulaç të vogël për mua dhe sillma; pastaj ta bësh për vete dhe për djalin tënd.
14. Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ena e miellit nuk do të mbarojë dhe qypi i vajit nuk do të pakësohet deri ditën, që Zoti të dërgojë shiun mbi tokë"".
15. Kështu ajo shkoi dhe veproi sipas fjalës së Elias; dhe kështu hëngrën ajo, Elia dhe gjithë familja e saj për një kohë të gjatë.
16. Ena e miellit nuk mbaroi dhe qypi i vajit nuk u pakësua, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të Elias.
17. Mbas këtyre ngjarjeve, biri i gruas, që ishte e zonja e shtëpisë, u sëmur; sëmundja e tij qe aq e rëndë, sa nuk i mbeti më frymë jete.