1 i Mbretërve 17:5-19 Bibla Shqip (ALBB)

5. Kështu ai u nis dhe veproi sipas fjalës të Zotit; shkoi dhe u vendos pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.

6. Korbat i sillnin bukë e mish në mëngjes dhe bukë e mish në mbrëmje, dhe pinte ujë në përrua.

7. Mbas një farë kohe përroi shteroi, sepse nuk binte shi mbi vendin.

8. Atëherë Zoti i foli, duke thënë:

9. "Çohu dhe shko të vendosësh në Sarepta të sidonitëve, sepse atje kam urdhëruar një grua të ve të të sigurojë ushqimin".

10. Ai u ngrit, pra, dhe shkoi në Sarepta; sapo arriti në portën e qytetit, ai pa një të ve që mblidhte dru. Ai e thirri dhe i tha: "Shko dhe më merr pak ujë në një enë që të mund të pi".

11. Ndërsa ajo po shkonte për të marrë ujin, ai e thirri dhe i tha: "Më sill edhe një copë bukë".

12. Ajo u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia yt, bukë nuk kam, por kam vetëm një dorë miell në një enë dhe pak vaj në një qyp; dhe tani po mbledh dy copa dru për t'i përgatitur për vete dhe për djalin tim; do t'i hamë dhe pastaj kemi për të vdekur".

13. Elia i tha: "Mos ki frikë; shko dhe bëj si the; por më parë bëj një kulaç të vogël për mua dhe sillma; pastaj ta bësh për vete dhe për djalin tënd.

14. Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ena e miellit nuk do të mbarojë dhe qypi i vajit nuk do të pakësohet deri ditën, që Zoti të dërgojë shiun mbi tokë"".

15. Kështu ajo shkoi dhe veproi sipas fjalës së Elias; dhe kështu hëngrën ajo, Elia dhe gjithë familja e saj për një kohë të gjatë.

16. Ena e miellit nuk mbaroi dhe qypi i vajit nuk u pakësua, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të Elias.

17. Mbas këtyre ngjarjeve, biri i gruas, që ishte e zonja e shtëpisë, u sëmur; sëmundja e tij qe aq e rëndë, sa nuk i mbeti më frymë jete.

18. Atëherë ajo i tha Elias: "Çfarë lidhje kam me ty, o njeri i Perëndisë? Ndofta ke ardhur tek unë për të më kujtuar mëkatin që kam bërë dhe për të vrarë djalin tim?".

19. Ai iu përgjigj: "Më jep djalin tënd". Kështu ia mori nga gjiri i saj, e çoi në dhomën lart dhe e shtriu në shtratin e tij.

1 i Mbretërve 17