1. Elia, tishbiti, një nga banorët e Galaadit i tha Ashabit: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, në prani të të cilit unë ndodhem, nuk do të ketë as vesë as shi gjatë këtyre viteve, veçse me fjalën time".
2. Pastaj fjala e Zotit iu drejtua atij, duke thënë:
3. "Largohu që këtej, ktheu nga lindja dhe fshihu pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.
4. Do të pish ujë në përrua dhe unë i kam urdhëruar korbat që të të japin të hash atje".
5. Kështu ai u nis dhe veproi sipas fjalës të Zotit; shkoi dhe u vendos pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.
6. Korbat i sillnin bukë e mish në mëngjes dhe bukë e mish në mbrëmje, dhe pinte ujë në përrua.
7. Mbas një farë kohe përroi shteroi, sepse nuk binte shi mbi vendin.
8. Atëherë Zoti i foli, duke thënë:
9. "Çohu dhe shko të vendosësh në Sarepta të sidonitëve, sepse atje kam urdhëruar një grua të ve të të sigurojë ushqimin".
10. Ai u ngrit, pra, dhe shkoi në Sarepta; sapo arriti në portën e qytetit, ai pa një të ve që mblidhte dru. Ai e thirri dhe i tha: "Shko dhe më merr pak ujë në një enë që të mund të pi".