16. Kështu populli që kishte ngritur kampin dëgjoi të thuhet: "Zimri ka komplotuar, madje ka vrarë mbretin!". Po atë ditë në kamp tërë Izraeli bëri mbret të Izraelit, Omrin, komandantin e ushtrisë.
17. Pastaj Omri u nis nga Gibethoni dhe rrethoi Tirtsahun.
18. Kur Zimri pa që qyteti ishte pushtuar, u tërhoq në kullën e pallatit mbretëror, i vuri zjarrin pallatit mbretëror që ndodhej mbi të dhe kështu vdiq,
19. për shkak të mëkateve që kishte kryer, duke bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke ndjekur rrugën e Jeroboamit dhe duke kryer mëkatin që ky kishte bërë duke e nxitur Izraelin të mëkatojë.
20. Pjesa tjetër e bëmave të Zimrit dhe komploti që ai thuri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
21. Atëherë populli i Izraelit u nda në dy pjesë: gjysma e popullit shkonte pas Tibnit, birit të Ginathit, për ta bërë mbret; gjysma tjetër shkonte pas Omrit.