24. Kështu ai u nis, por një luan i doli rrugës dhe e vrau. Kufoma e tij u hodh në mes të rrugës, ndërsa gomari i qëndronte afër dhe vetë luani mbeti pranë kufomës.
25. Disa njerëz kaluan andej dhe panë kufomën të hedhur në rrugë dhe luanin që rrinte afër kufomës; ata shkuan dhe e treguan këtë gjë në qytetin ku banonte profeti plak.
26. Sa e dëgjoi profeti që e kishte kthyer prapa, ai tha: "Është njeriu i Perëndisë, që nuk iu bind urdhrit të Zotit; për këtë arsye Zoti e ka lënë në kthetrat e një luani, që e ka shqyer dhe vrarë, sipas fjalës që kishte thënë Zoti".
27. Pastaj iu drejtua bijve të tij dhe u tha: "Më shaloni gomarin". Ata ia shaluan.