1 i Mbretërve 11:20-26 Bibla Shqip (ALBB)

20. Motra e Tahpenes i lindi djalin Genubath, që Tahpenes rriti në shtëpinë e Faraonit; dhe Genubathi mbeti në shtëpinë e Faraonit midis bijve të Faraonit.

21. Kur Hadadi në Egjipt mësoi që Davidi ishte shtrirë pranë etërve të tij në një gjumë të rëndë dhe që Joabi, komandant i ushtrisë kishte vdekur, Hadadi i tha Faraonit: "Më lër të iki, dhe të shkoj në vendin tim".

22. Faraoni iu përgjigj: "Çfarë të mungon tek unë që kërkon të shkosh në vendin tënd?". Ai i tha: "Asgjë, megjithatë më lër të shkoj".

23. Perëndia ngriti kundër Salomonit një armik tjetër, Rezonin, birin e Eliadahut, që kishte ikur nga zotëria e tij, Hadadezeri, mbret i Tsobahut.

24. Ai mblodhi rreth tij disa njerëz dhe u bë kryetar i një bande grabitësish, kur Davidi kishte masakruar ata të Tsobahut. Pastaj ata shkuan në Damask, u vendosën atje dhe mbretëruan në Damask.

25. Rezoni qe armik i Izraelit gjatë gjithë kohës së Salomonit (përveç së keqes që bëri Hadadi). Kishte neveri për Izraelin dhe mbretëroi në Siri.

26. Edhe Jeroboami, shërbëtor i Salomonit, ngriti krye kundër mbretit. Ai ishte bir i Nebatit, efrateut të Tseredës, dhe kishte nënë një të ve me emrin Tseruah.

1 i Mbretërve 11