25. Në fakt sot ai zbriti dhe flijoi një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh, ftoi tërë bijtë e mbretit, krerët e ushtrisë dhe priftin Abiathar; dhe ja tani ata po hanë e pinë përpara tij dhe thonë: "Rroftë mbreti Adonijah".
26. Por ai nuk më ka ftuar mua, shërbëtorin tënd, as priftin Tsadok, as Benajahun, birin e Jehojadit, as Salomonin, shërbëtorin tënd.
27. Kjo, a u bë pikërisht nga mbreti, zoti im, pa i njoftuar shërbëtorit tënd kush do të ulet në fronin e mbretit, të zotit tim, mbas tij?".
28. Mbreti David, duke u përgjigjur, tha: "Thirrmëni Bath-Shebën". Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi më këmbë para tij.
29. Mbreti u betua dhe tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili ka liruar jetën time nga çdo fatkeqësi,
30. unë do të bëj sot pikërisht atë që të jam betuar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, duke thënë: "Biri yt Salomon ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim në vendin tim"".
31. Bath-Sheba u përul me fytyrën për tokë, ra përmbys para mbretit dhe tha: "O Zot, bëj që mbreti David të jetojë përjetë!".
32. Pastaj mbreti David tha: "Thirrmëni priftin Tsadok, profetin Nathan dhe Benajahun, birin e Jehojadit". Ata erdhën në prani të mbretit.
33. Mbreti u tha atyre: "Merrni me vete shërbëtorët e zotit tuaj, e hipeni birin tim Salomon mbi mushkën time dhe e zbrisni në Gihon.
34. Atje prifti Tsadok dhe profeti Nathan ta vajosin mbret të Izraelit. Pastaj i bini borisë dhe thoni: "Rroftë mbreti Salomon!".
35. Do të shkoni, pra, pas tij dhe ai do të vijë të ulet mbi fronin tim dhe do të mbretërojë në vendin tim, sepse e kam bërë princ të Izraelit dhe të Judës".
36. Benajahu, bir i Jehojadit, iu përgjigj mbretit duke thënë: "Amen! Kjo është edhe dëshira e Zotit, Perëndisë së mbretit zotit tim!
37. Ashtu si ka qenë Zoti me mbretin, zotin tim, kështu qoftë me Salomonin dhe e bëftë fronin tim më të madh se froni i mbretit David, i zotit tim!".
38. Atëherë prifti Tsadok, profeti Nathan, Benajahu, bir i Jehojadit, kerethenjtë dhe pelethenjtë, dolën e hipën Salomonin mbi mushkën e mbretit David dhe e çuan në Gihon.