25. Në fakt sot ai zbriti dhe flijoi një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh, ftoi tërë bijtë e mbretit, krerët e ushtrisë dhe priftin Abiathar; dhe ja tani ata po hanë e pinë përpara tij dhe thonë: "Rroftë mbreti Adonijah".
26. Por ai nuk më ka ftuar mua, shërbëtorin tënd, as priftin Tsadok, as Benajahun, birin e Jehojadit, as Salomonin, shërbëtorin tënd.
27. Kjo, a u bë pikërisht nga mbreti, zoti im, pa i njoftuar shërbëtorit tënd kush do të ulet në fronin e mbretit, të zotit tim, mbas tij?".
28. Mbreti David, duke u përgjigjur, tha: "Thirrmëni Bath-Shebën". Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi më këmbë para tij.
29. Mbreti u betua dhe tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili ka liruar jetën time nga çdo fatkeqësi,
30. unë do të bëj sot pikërisht atë që të jam betuar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, duke thënë: "Biri yt Salomon ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim në vendin tim"".