22. Tërë ata që u zgjodhën si derëtarë ishin dyqind e dymbëdhjetë veta; ata ishin të regjistruar sipas gjenealogjive në fshatrat e tyre. Davidin dhe Samuelin shikuesi i kishte vendosur në zyrën e tyre.
23. Ata dhe bijtë e tyre mbanin përgjegjësinë e ruajtjes së portave të shtëpisë së Zotit, domethënë të shtëpisë së tabernakullit, si derëtarë.
24. Kishte derëtarë në të katër pikat e horizontit: në lindje, në perëndim, në veri dhe në jug.
25. Vëllezërit e tyre, që banonin në fshatrat e tyre, duhet të vinin herë pas here për të qëndruar me ta shtatë ditë,
26. sepse katër derëtarët kryesorë, që ishin levitë, ishin gjithnjë në detyrë. Ata merreshin gjithashtu me mbikëqyrjen e dhomave dhe të thesareve të shtëpisë së Perëndisë;
27. banonin në afërsitë e shtëpisë së Perëndisë, sepse atyre u ishte besuar ruajtja e saj, si dhe hapja e saj çdo mëngjes.
28. Disa prej tyre ishin përgjegjës për objektet që përdoreshin në shërbimin e tempullit, dhe ata i numëronin kur i çonin brenda dhe kur i çonin jashtë.
29. Të tjerë përkundrazi ishin ngarkuar me ruajtjen e mobilieve, të gjithë veglave, të majës së miellit, të verës, të vajit, të temjanit dhe të aromave.
30. Disa bij të priftërinjve përgatisnin melhemin e aromave.
31. Matithiahu, një prej levitëve, i parëlinduri i Shalumit, korahiti, ishte përgjegjës për gjërat që gatuheshin në tiganë.
32. Disa nga vëllezërit e tyre midis kehathitëve ishin të ngarkuar përkundrazi të përgatisnin çdo të shtunë bukët e paraqitjes.
33. Këta ishin këngëtarë, të parë të shtëpive atërore të levitëve, që banonin në dhomat e tempullit; ata ishin të përjashtuar nga çdo shërbim tjetër, sepse ishin të zënë ditë e natë me punën e tyre.
34. Këta ishin të parët e shtëpive atërore të levitëve, të parë sipas brezave të tyre; ata banonin në Jeruzalem.