1 i Kronikave 28:4-9 Bibla Shqip (ALBB)

4. Megjithatë Zoti, Perëndia i Izraelit, më ka zgjedhur mua nga tërë shtëpia e atit tim, që të bëhem mbret i Izraelit përjetë. Në fakt ai ka zgjedhur Judën si princ, dhe në shtëpinë e Judës shtëpinë e atit tim dhe midis bijve të atit tim i ka pëlqyer të më bëjë mua mbret të të gjithë Izraelit.

5. Midis tërë bijve të mi (sepse Zoti më ka dhënë shumë fëmijë) ai ka zgjedhur birin tim Salomon, që të ulet në fronin e mbretërisë të Zotit mbi Izraelin.

6. Ai më tha: "Do të jetë biri yt Salomon ai që ka për të ndërtuar shtëpinë time dhe oborret e mia, sepse kam zgjedhur atë si djalin tim, dhe unë do të jem për atë si një baba.

7. Do ta bëj të qëndrueshme përjetë mbretërinë e tij në rast se u përmbahet në mënyrë të vendosur urdhërimeve dhe dekreteve të mia, ashtu si po bën sot".

8. Kështu, pra, përpara tërë Izraelit, asamblesë së Zotit, dhe përpara Perëndisë tonë që na dëgjon, zbatoni dhe kërkoni tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që të mund ta zotëroni këtë vend të mirë dhe t'ia lini si trashëgimi bijve tuaj mbas jush, përjetë.

9. Ti Salomon, biri im njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër dhe me shpirt vullnetmirë, sepse Zoti heton të gjitha zemrat dhe kupton tërë qëllimet e mendimeve. Në rast se ti e kërkon, ai do të të lërë ta gjesh; por në rast se ti e braktis, ai do të të hedhë poshtë përjetë.

1 i Kronikave 28