1 i Kronikave 21:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Por Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin të bënte regjistrimin e popullit të Izraelit.

2. Kështu Davidi i tha Joabit dhe krerëve të popullit: "Shkoni dhe bëni regjistrimin e izraelitëve nga Beer-Sheba deri në Dan; pastaj më paraqitni raportin që unë të di numrin e tyre".

3. Joabi u përgjigj: "Zoti e shumëzoftë popullin e tij njëqind herë aq. Por, o mbret, o imzot, a nuk janë vallë të gjithë shërbëtorë të zotërisë sime? Pse zoti im kërkon një gjë të tillë? Pse e bën fajtor Izraelin?".

4. Por kërkesa e mbretit mbizotëroi mbi atë të Joabit. Prandaj Joabi u nis, e përshkoi tërë Izraelin dhe u kthye pastaj në Jeruzalem.

5. Joabi i dërgoi Davidit shifrat e regjistrimit të popullsisë; në të gjithë Izraelin kishte një milion e njëqind mijë njerëz të aftë për të përdorur shpatën dhe në Judë katërqind e shtatëdhjetë mijë njerëz të aftë për të përdorur shpatën.

6. Por në regjistrimin e këtyre Joabi nuk përfshiu Levin dhe Beniaminin, sepse për të kërkesa e mbretit ishte e neveritshme.

7. Kjo gjë nuk i pëlqeu Perëndisë, prandaj e goditi Izraelin.

8. Kështu Davidi i tha Perëndisë: "Kam bërë një mëkat shumë të madh duke bërë këtë gjë; por tani, të lutem, hiqja paudhësinë shërbëtorit tënd, sepse unë kam vepruar shumë pa mend".

9. Atëherë Zoti i foli Gadit, shikuesit të Davidit, duke i thënë:

10. "Shko e i thuaj Davidit: "Kështu thotë Zoti: Unë të propozoj tri gjëra: zgjidh njërën nga këto dhe unë do ta kryej për ty"".

11. Gadi shkoi te Davidi dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: Zgjidh

12. ose tre vjet zi buke, ose tre muaj shkatërrimesh përpara kundërshtarëve të tu, gjatë të cilave shpata e armiqve të tu do të të zërë, ose tri ditë shpate të Zotit, me fjalë të tjera murtaja në vend, gjatë të cilave engjëlli i Zotit do të të sjellë shkatërrim në të gjithë territorin e Izraelit. Tani më bëj të ditur përgjigjen që duhet t'i jap atij që më ka dërguar".

1 i Kronikave 21