8. kam qenë me ty kudo ku ke vajtur, kam shfarosur përpara teje tërë armiqtë e tu dhe e kam bërë emrin tënd si atë të njerëzve të mëdhenj që janë mbi dhe.
9. Përveç kësaj do t'i jap popullit tim të Izraelit një vend ku të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e lëvizin më, dhe të këqijtë të mos vazhdojnë ta shkretojnë si më parë,
10. qysh prej kohës që kam vendosur gjyqtarët mbi popullin tim të Izraelit. Do të poshtëroj edhe tërë armiqtë e tu. Të njoftoj gjithashtu që Zoti do të të ndërtojë një shtëpi.
11. Kur të mbushen ditët e tua dhe të shkosh të bashkohesh me etërit e tu, unë do të nxjerrë një pasardhësin tënd, që do të jetë një nga bijtë e tu, dhe do ta konsolidoj mbretërinë e tij.
12. Ai do të më ndërtojë një shtëpi dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e tij përgjithnjë.
13. Unë do të jem për të një atë dhe ai për mua një bir; dhe nuk do t'ia heq përkrahjen time ashtu siç ia kam hequr atij që të ka paraprirë.
14. Unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithnjë në shtëpinë time dhe në mbretërinë time, dhe froni i tij do të jetë i qëndrueshëm gjithnjë"".
15. Nathani i foli Davidit duke përdorur tërë këto fjalë dhe sipas gjithë vizionit të tij.
16. Atëherë mbreti David hyri, u ul përballë Zotit dhe tha: "Kush jam unë, o Zot Perëndi, ç'është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu?
17. Megjithatë kjo t'u duk një gjë e vogël para syve të tu, o Perëndi; ti fole edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët dhe më konsiderove sikur të isha një njeri i rangut të lartë, o Zot Perëndi.
18. Çfarë mund të thotë akoma Davidi për nderin që i ke bërë shërbëtorit tënd? Ti e njeh në të vërtetë shërbëtorin tënd.
19. O Zot, për dashurinë e shërbëtorit tënd dhe sipas zemrës sate, ti ke kryer gjithë këto vepra të fuqishme për t'i bërë të njohura tërë këto gjëra të mëdha.
20. O Zot, askush nuk është i ngjashëm me ty dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, sipas tërë ato që kemi dëgjuar me veshët tona.