27. Shkëlqimi dhe madhëria janë para tij, forca dhe gëzimi ndodhen në banesën e tij.
28. Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.
29. Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij;
30. dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës! Po, bota është e qëndrueshme dhe nuk do të tundet.
31. Le të gëzohen qiejt dhe toka, dhe le të thonë kombet: "Zoti mbretëron".
32. Le të gjëmojë deti dhe tërë ato që janë në të;
33. atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit, sepse ai vjen të gjykojë tokën.
34. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
35. Thoni: "Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë! Na mblidh dhe na çliro nga kombet, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi se të kemi lëvduar".
36. I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga amshimi në amshim! Dhe tërë populli tha: "Amen", dhe lëvdoi Zotin.
37. Kështu Davidi la Asafin dhe vëllezërit e tij atje përpara arkës së besëlidhjes të Zotit, me qëllim që të shërbenin vazhdimisht përpara arkës, sipas nevojave të çdo dite,
38. la edhe Obed-Edomin dhe të gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij (Obed-Edomi, bir i Jeduthunit dhe Hosahu si derëtarë),
39. dhe priftin Tsadok dhe priftërinjtë vëllezër të tij përpara tabernakullit të Zotit, në vendin e lartë që ishte në Gabaon,
40. me qëllim që ata t'i ofronin Zotit holokauste mbi altarin e holokausteve, vazhdimisht në mëngjes e në mbrëmje, sipas tërë atyre që janë shkruar në ligjin e Zotit, që ai ia kishte imponuar Izraelit.