1 i Kronikave 16:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Kështu e prunë arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tabernakullit që Davidi kishte ngritur për të; pastaj ofruan holokauste dhe flijime falënderimi përpara Perëndisë.

2. Kur Davidi mbaroi së ofruari holokaustet dhe flijimet e falënderimit, ai bekoi popullin në emër të Zotit;

3. pastaj u ndau tërë izraelitëve, burra dhe gra, secilit prej tyre një bukë, një racion mish dhe një sasi rrushi të thatë.

4. Pastaj vendosi përpara arkës të Zotit disa levitë për të kryer shërbimin për të kujtuar, për të falënderuar dhe për të lëvduar Zotin, Perëndinë e Izraelit;

5. Asafi, i pari, Zakaria i dyti mbas tij, pastaj Jeieli, Shemiramothi, Jehieli, Matithiahu, Eliabi, Benajahu, Obed-Edomi dhe Jeieli. Ata u binin harpave dhe qesteve, ndërsa Asafi u binte cembaleve.

6. Priftërinjtë Benajah dhe Jahaziel përkundrazi i binin borisë vazhdimisht përpara arkës së besëlidhjes së Perëndisë.

7. Atë ditë Davidi u besoi për herë të parë Asafit dhe vëllezërve të tij detyrën që të këndonin lëvdata Zotit.

8. Kremtoni Zotin, kujtoni emrin e tij; bëjini të njohura veprat e tij midis popujve.

9. Këndojini atij, lëvdoheni, mendoni të gjitha mrekullitë e tij.

10. Lëvdohuni me emrin e tij të shenjtë; u gëzofshin zemrat e të gjithë atyre që kërkojnë Zotin!

11. Kërkoni Zotin dhe forcën e tij, kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij!

12. Kujtoni mrekullitë që ka bërë, çuditë e tij dhe gjykimet që kanë dalë nga goja e tij,

1 i Kronikave 16