1. Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru cedri, muratorë, dhe marangozë për t'i ndërtuar një shtëpi.
2. Atëherë Davidi e pranoi që Zoti e kishte vendosur mbret të Izraelit, sepse mbretëria e tij qe lavdëruar shumë për shkak të popullit të tij, Izraelit.
3. Davidi u martua me gra të tjera në Jeruzalem dhe i lindën djem e vajza.
4. Këto janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shohabi, Salomoni,
5. Ibhari, Elishua, Elpeleti,
6. Nagahu, Nefegu, Jafia,
7. Elishama, Beelida dhe Elifeleti.
8. Kur filistenjtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i tërë Izraelit, dolën të gjithë në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi u doli përballë.
9. Filistenjtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit.
10. Atëherë Davidi u këshillua me Perëndinë, duke thënë: A duhet të dal kundër filistenjve? A do të m'i japësh në duart e mia?". Zoti u përgjigj: "Dil dhe unë do t'i jap në duart e tua".
11. Ata dolën në Baal-Peratsim, ku Davidi i mundi dhe tha: "Perëndia ka hapur me duart e mia një kalim midis armiqve të mi, si një kalim i hapur nga ujërat". Prandaj i vunë këtij vendi emrin e Baal-Peratsimit.