4. Davidi së bashku me tërë Izraelin doli kundër Jeruzalemit, që është Jebusi, ku ndodheshin jebusenjtë, banorë të vendit.
5. Atëherë banorët e Jebusit i thanë Davidit: "Nuk do të hysh këtu". Por Davidi pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit, që është qyteti i Davidit.
6. Davidi kishte thënë: "Ai që do t'i mundë i pari jebusenjtë do të bëhet kryetar dhe princ". Doli i pari Joabi, bir i Tserujahut, që u bë kështu kryetar.
7. Davidi u vendos pastaj në kalanë që u quajt për këtë arsye "qyteti i Davidit".
8. Pastaj ai bëri ndërtime përreth qytetit nga Milo dhe në gjithë perimetrin e tij; Joabi meremetoi pjesën tjetër të qytetit.
9. Kështu Davidi bëhej gjithnjë e më i madh dhe Zoti i ushtrive ishte me të.
10. Këta janë komandantët e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit dhe që i dhanë përkrahje të madhe me gjithë Izraelin në mbretërinë e tij për ta bërë mbret sipas fjalës të Zotit lidhur me Izraelin.
11. Kjo është lista e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit: Jashobeami, bir i një Hakmoniti, komandant i tridhjetë kapedanëve; ai rroku ushtën kundër treqind njerëzve, që i vrau në një ndeshje të vetme.
12. Mbas tij vinte Eleazari, bir i Dodos, ahohitit; ishte një nga tre luftëtarët trima.
13. Ai ishte me Davidin në Pas-Damim, ku ishin mbledhur filistenjtë për të luftuar dhe ku kishte një arë plotë me elb. Populli iku me vrap përpara filistenjve,
14. por ata u vendosën në mes të arës, e mbrojtën dhe i mundën filistenjtë; kështu Zoti realizoi fitore të madhe.
15. Tre nga të treqind kapedanët zbritën te shkëmbi drejt Davidit, në shpellën e Adulamit, ndërsa ushtria e filistenjve kishte fushuar në luginën e Refaimit.
16. Davidi ndodhej atëherë në kala, kurse në Betlem kishte një garnizon filistenjsh.
17. Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit që është pranë portës!".
18. Kështu këta të tre çanë nëpër kampin e filistenjve dhe mbushën ujë nga pusi i Betlemit që ndodhej te porta; pastaj e morën dhe ia çuan Davidit. Por Davidi nuk desh ta pinte, por e derdhi si libacion përpara Zotit,
19. duke thënë: "Të më ruajë Perëndia nga kryerja e një gjëje të tillë! A mund ta pi unë gjakun e këtyre njerëzve, që kanë rrezikuar jetën e tyre? Sepse e kanë sjellë duke rrezikuar jetën e tyre". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan këta tre trima.